Luan Malltezi emërohet drejtori i ri i Muzeut
Prej disa ditësh, Muzeu Historik Kombëtar është bërë me drejtor të ri. Mësojmë se ish-drejtori Kasëm Biçoku është zëvendësuar me historianin Luan Malltezi. Në bazë të ligjit, ka qenë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, ai që ka emëruar historianin Malltezi në postin e drejtuesit të një prej institucioneve më të rëndësishme, por edhe më problematike kulturore. Për këtë lëvizje nuk është dhënë asnjë njoftim nga ana e MTKRS-së, e kujdesshme në njoftimin e çdo aktiviteti të këtij institucioni, ndërkohë që Malltezi ka disa ditë që ka marrë detyrën e re të drejtorit. Nga zyra e shtypit pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mësojmë se kjo lëvizje u bë për hir të moshës. Ish-drejtori, historiani Kasëm Biçoku, tashmë kishte mbushur moshën e pensionit. Dhe Luan Malltezi u pa si kandidatura më e mirë për të drejtuar Muzeun Kombëtar. Prof. Dr. Luan Malltezi është një nga historianët dhe latinistët më të njohur shqiptarë dhe vendosja e tij në krye të MHK-së, jo detyrimisht duhet lidhur me faktin që ai është edhe krushku (babai i dhëndrit) të kryeministrit Sali Berisha. Duket se drejtimi i MHK-së mbeti brenda së njëjtës periudhe historike. Si Biçoku, ashtu edhe Malltezi janë specialistë të periudhës së Mesjetës, veçse ky i fundit është studiues i periudhës paraosmane. Që do të thotë që ndoshta edhe vëmendja e Malltezit do të përqendrohet kah kësaj periudhe. Nuk ka për të qenë e lehtë detyra e Malltezit në drejtimin e MHK-së, të gjithë drejtorët që kanë ardhur e ikur kanë premtuar shumë, kanë prezantuar projekte rikonstruksionesh dhe ndryshimesh rrënjësore, por u bë kohë që në këtë institucion nuk ndodh asgjë e re.