E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Thaçi e Haradinaj të distancohen nga dhuna

 

SHBA-ja dhe Britania kanë dënuar incidentin e Deçanit ku kryeministri i Kosovës u sulmua me gurë dhe më pas edhe me plumba nga larg, dhe u ka kërkuar dy partive që po shkëmbejnë akuza, PDK dhe AAK të distancohen nga ngjarja. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Kristofer Dell, i ka bërë thirrje PDK-së në pushtet dhe AAK-së në opozitë që t’u bëjnë thirrje të gjithë përkrahësve të tyre që të shmangin incidentet e ngjashme. Sipas Dell, asnjëra palë nuk mund ta justifikojë dhunën duke u bazuar në pohimet, se e nisi pala tjetër. Ai e ka cilësuar këtë si “shkatërruese për Kosovën, demokracinë dhe zgjedhjet”. “Ne presim nga udhëheqësit e të gjitha partive politike një deklaratë të qartë se ata e dënojnë ngjarjen, kushdo që ta ketë filluar duhet të dënohet, dhe t’u bëjnë thirrje të gjithë përkrahësve të tyre që të shmangin incidentet e mundshme të këtilla. Thjeshtë kjo është helmuese prandaj duhet të ndalet dhe duhet të ndalet menjëherë”, tha Dell. Ndërsa ambasadori britanik, Andy Sparks u ka apeluar AAK-së dhe PDK-së të tregojnë përmbajtje dhe mos të lejojnë që ky incident të përshkallëzohet. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith, duke iu referuar sulmit në Deçan, tha se incidenti nuk ishte në interesin e askujt. “Aktet e dhunës nuk kanë vend në një fushatë zgjedhore demokratike. Shpreh keqardhjen për incidentin në Deçan, i cili nuk ishte në interesin e askujt”, tha ai. Të mërkurën pasdite, eskorta e Kryeministrit të Kosovës, (kryetar i PDK-së), Hashim Thaçi u sulmua në Deçan në përmbyllje të fushatës parazgjedhore. Disa makina të eskortës së tij janë dëmtuar dhe se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Tre persona janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në incident. Një ditë më parë, Partia e Hashim Thaçit akuzoi për incidentin AAK-në dhe udhëheqësin e saj Ramush Haradinaj, partisë së të cilit i përket edhe komuna e Deçanit. Ndërsa AAK fajësoi PDK-në për abuzim me një numër nxënësish të qytetit.
Sulmohet
kandidati i AAK-së
Ndërkohë incidenti është pasuar me një tjetër rast. Policia e Kosovës ka njoftuar se kandidati i AAK-së për Kryetar të Mitrovicës, Hysni Ahmeti, është qëlluar dje me armë zjarri në hyrje të qytetit nga persona ende të panjohur. Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, nga të shtënat nuk është lënduar askush, ndërsa kanë nisur hetimet. “Ka pasur të shtëna me armë në drejtim të makinës së Hysni Ahmeit. Por nuk ka të lënduar, dhe ende nuk ka të dyshuar”, ka thënë ai. Sipas Ahmetit, sulmi ka ndodhur rreth orës 19 të ditës së djeshme. “Është e vërtetë se unë se jam sulmuar në Shupkofc me armë zjarri. Ajo që di është se ka pasur plumba në drejtim të veturës sime”, ka thënë ai për “Express”. Kandidati i AAK-së nuk ka shfaqur dyshime se cilët mund të kenë qenë autorët e mundshëm të sulmit, derisa pret që organet e rendit ta zbardhin rastin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›