E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdheu prej dëbore, në gjuhën rumune

Para disa ditësh doli ne Bukuresht vëllimi Atdheu prej dëbore i shkrimtarit shqiptar Ramiz Gjini. Vëllimi përmbledh tregimet më të mira të këtij prozatori, i cili banon prej gati dhjetë vjetëve në Amerike. Përkthyesi i librit është Marius Dobresku, shkrimtar dhe gazetar rumun, fituesi i çmimit Penda e argjendtë në vitin 2006. Dobresku është gjithashtu i njohur si përkthyesi i Ismail Kadarese në gjuhën rumune. Vëllimi përmbledh 15 nga tregimet më të arritura të këtij shkrimtari shqiptaro-amerikan dhe ka një parathënie mbi Ramiz Gjinin dhe veprën e tij. Nëpërmjet tregimeve te tij, kam njohur një shkrimtar të formuar jashtë Shqipërisë, por të lidhur kryekëput me realitetet e saj, shkruan Dobresku në parathënie. Letërsia shqipe ka njohur mjaft raste te tilla, duke filluar me klasiket, modernët dhe duke mbaruar me autorët e sotëm. Dhe nga kjo dukuri ajo nuk humbi asgjë, përkundrazi. Shembujt e Lasgushit, Kutelit, Kadaresë e dhjetëra te tjerëve janë shumë të njohur. Tregimet e Ramiz Gjinit kanë një parfum nostalgjik, janë te mbushura me kujtimet e vendeve dhe njerëzve të afërt të mbetur shumë të gjallë në memorien e autorit. Libri ka dalë nën kujdesin e organizatës Lidhja e Shqiptareve të Rumanisë, të kryesuar nga deputetja Oana Manolesku. L.SH.R boton, ndërmjet Shtëpisë Botuese Privirea dhe me financim nga qeveria rumune, libra te shkrimtareve shqiptare, pavarësisht nga vendi ku ata jetojnë dhe krijojnë. Vitin e kaluar doli tek Privirea një vëllim me vjershat më të mira të poetit të ri Ermir Nika, kurse sivjet organizata e shqiptareve rumune do të organizoje një simpozium të kushtuar poetit të madh Lasgush Poradeci.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›