E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e letërsisë në Tiranë, me kulturën italiane dhe spanjolle

Në Shqipëri Dita Ndërkombëtare e Librit ka filluar të festohet që prej vitit 2001, si një nismë e Bibliotekës Kombëtare, dhe kjo e fundit këtë vit u mjaftua vetëm me një aktivitet në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Biblioteka Kombëtare zgjodhi Indro Montanellin në Ditën Ndërkombëtare të Librit, që festohet në mbarë botën që nga viti 1995 për t'a përkujtuar në aktivitetin 100 vjet Indro Montanelli. Duke përkuar dhe me ditëlindjen e 100-të të gazetarit italian me famë botërore, Indro Montanelli, në aktivitetin e zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës morën pjesë personalitete të shumta të politikës, artit dhe medias në vend. 100 vjet nga lindja, gazetari italian Indro Montanelli konsiderohet një fenomen që ngjall ende diskutime. Një prej gazetarëve dhe biografëve të Montanellit, Sandro Gerbi në konferencën e organizuar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë e vë theksin tek forca shprehëse e këtij gazetari që ishte aktiv për mëse 70 vjet në shtypin italian në gazetat Corriere della sera dhe Il giornale. Në fund vitet 30  Montanelli vizitoi Shqipërinë për 3 herë dhe kësaj periudhe i përket edhe libri i tij LAlbania, una e mille, por Gerbi si një prej studiuesve të këtij fenomeni ka gjetur në morinë e thuajse 5 mijë artikujve të Montanellit 10 artikuj që flasin për komunitetin rom në Shqipërinë e Luftes se Dytë Botërore. Duke vlerësuar këtë personalitet të letrave, ai tregoi disa elemente. Që kur ishte ende në moshë të vogël, i ati kishte kuptuar se Indro do të shndërrohej në një person konfliktual, pasi herë pas here, ai ngrinte diskutime provokuese. Më kujtohet një prej artikujve që fliste për një festë rome dhe përshkrimi ishte shumë i forte. Drejtorit të gazetës se asaj kohe i pëlqyen shumë dhe mendoj se do të ishte shumë mirë që këto artikuj të publikoheshin sërish në Shqipëri, tha Gerbi. I pranishëm në aktivitet, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku e cilësoi si mjaft domethënës aktivitetin e organizuar në këtë ditë, duke u shprehur se vetëm libri arrin të mbledhë sëbashku aktorë të rëndësishëm të jetës.
Dita e letërsisë, homazh për Kishotin
Ambasada e Spanjës në Shqipëri e kremtoi këtë ditë me një homazh special për Kishotin, duke ju bashkuar iniciativës së ndërmarrë në kryeqytetet më të mëdha të botës. Njësoj si vitin e kaluar, edhe këtë 23 prill u mbajt leximi i dytë publik i Don Kishotit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, i cili kremton njëkohësisht krijimin e departamentit të ri të Studimeve Hispanike, si një hap themelor për njohjen e gjuhës dhe letërsisë spanjolle në Shqipëri. Këtë vit për herë të parë në 23 prill iu bë një homazh atyre autorëve, veprat e të cilëve janë përkthyer nga shqipja në cilëndo nga gjuhët e Spanjës apo prej këtyre gjuhëve në shqip. Në programin Spanja- Shqipëria: në letërsinë e tjetrit, u prezantua libri i Ramón Sánchez Lizarralde, Shqipëria në pasqyrën e letërsisë i publikuar kohët e fundit në shqip, si dhe përkthimi i parë në spanjisht i novelës së Fatos Kongolit, Lëkura e Qenit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›