E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur u zyrtarizua italishtja në Bibliotekën Kombëtare?!



Nëse Montanelli në ’97 para gazetarëve të Universitetit të Torinos mbajti fjalimin e fundit mbi zanatin e gazetarisë, duke iu rikthyer shpesh thënies se ishte mes tyre për një lajm jo të mirë, pra për një lajm të keq - duke i rrëfyer kështu gazetarinë e vërtetë - të vështirën, atë që shumëkush e quan kontrovers, zëmadh - tek ne ka ndodhur e kundërta dje.

Një mysafir italian, Sandro Gerbi - duke na kujtuar se për Montanellin edhe 100 vjet nga lindja ka akoma diskutime - ka ligjëruar rreth dy orë, duke shpërfillur krejtësisht vendin që i ka shërbyer me përulësi Montanelli, dhe që ky vend ia kthen vëmendjen njëqind për qind, duke u nderuar në një ditë simbolike si kjo e librit.

Pra, duke na zgjuar për lajmin e mirë, që na solli Gerbi, si shenjë respekti nga bregu matanë, na vuri dje në gjumë duke harruar se italishtja nuk është gjuhë zyrtare në Shqipëri. Po nuk ka faj z. Gerbi, ai dje ka shijuar ligjëratën e tij, egon e tij, krejt entuziazmin e tij me dijet dhe njohjet reciproke me Montanellin.

Në fakt edhe sikur të vihet ndokush sot me faj se përse shpesh në konferenca shtypi, a në kësi takimesh me personalitete italiane - gjithmonë flitet italisht, “e rekomanduar”, kjo dhe e pranuar në unanim prej pjesës shqiptare të audiencës. E përsërisim, nuk është faj i askujt - edhe pse dje në Bibliotekën Kombëtare takimi me Montanellin 100-vjeçar, e bëri drejtorin e BK-së, Aurel Plasarin, t’i shmangej pyetjes, për ta lënë pas takimit ndoshta!

Qysh kur është zyrtarizuar italishtja nga Bibliotekën Kombëtare? Për momentin z. Gerbi iu desh të rrëshqiste nga situata, duke na kujtuar se edhe në Shqipëri Montanelli paska “kushërinj” - por duke harruar thënien e fundit të këtij gazetari zëmadh - “se gazetaria bëhet për gazetari dhe për asgjë tjetër”. Ndërsa Plasari, sipas “dëshirës” së tij, në krye të institucionit publik - aty ku kulturat nga e gjithë bota takohen në gjuhën shqipe, pra direkt tek lexuesi shqiptar - na përgjigjet se “për Bibliotekën Kombëtare të gjitha gjuhët e botës janë legale, e sidomos në ditën botërore të librit. Ka pjesëmarrës që kanë dëgjuar konferenca në gjuhën angleze. Në mjedise të tjera kanë qenë dëgjues që kanë marrë pjesë edhe në konferenca ku flitej gjermanisht. Kujdesi në këtë rast është të ftojmë specifikën e gjuhës. Kështu është titulluar edhe konferenca e ditës së sotme (dje) “Montanelli, a cent’ anni dalla nascita, fa ankora discutere”. Por si duket Plasari harron se dje e ka ndjellë audiencën e njerëzve të letrave në shqip pikërisht nën logon shqip “100 vjet Montanelli” – ndoshta duke e kujtuar së tepërmi për ditët e këtij gazetari në Shqipëri, për udhëtimet e tij, për librat e tij, se sa për shërbimin që i ka bërë gazetarisë italiane, ku sërish në leksionin e tij botuar para disa ditësh, për herë të parë në “La Stampa”, Montanelli thotë: “Unë besoj se gazetaria ka luajtur në Itali një mision, duke e shkëputur kulturën italiane nga fortesat e saj mafioze”.

Justifikimet që gjeti papritur dje Plasari nuk duken se na mbushin arsyen - aq më tepër kur mbi 50 njerëz në sallën e BK-së dëgjuan me veshë hapur dhe shumë syresh nuk kanë kuptuar ç’është thënë nga z. Gerbi. Nëse pranojmë versionin e Plasarit, ky takim do të quhej një tallje për palën italiane - sidomos për mysafirin që foli për dy orë pa pushim. Në të kundërt edhe sikur të gjithë të dinin italisht, ajo që të shkaktonte dje prezenca italiane, të frustronte, të mbushte me inferioritet - e, ku, pikërisht në vendin tënd, në kryeqendër, e mu në vendin më të madh të librit. Sido që ta justifikojë Plasari, ky fenomen i italianizmit të detyruar të gjuhës, të takimit, nuk është shenjë fort e dukshme që na bën sikur jemi perëndimorë, e me inteligjencë të skajshme se dimë të gjithë të flasim gjuhë të huaj, se presim çdo komb mik me zemër e gjuhë.

Pa le të ndrydhet çdo gjë brenda teje, dhe le të kënaqet egoja e të tjerëve, e sidomos atyre matanë bregut (gjë që ndodh shumë shpesh) se gjuha e parë si duket qenka italishtja, e shqipja e dyta. Pyetjet vetiu dalin jo rrallë, është servilizëm kjo?; është inferioritet?; është tregues se kemi kulturë të gjerë?; apo thjesht duam t’ju bëjmë si gjithmonë qejfin këtyre italianëve...?! Kjo nuk ka ndodhur me asnjë gjuhë tjetër, as me anglishten, meqë e themi se është gjuhë ndërkombëtare. Ku as për këtë s’ka argument ta mbajë, përderisa jemi në Shqipëri dhe audienca ka zotërues shqipfolës. Kjo është gjuha më e butë që mund të përdorim kur shpesh gjendemi të shokuar përballë këtij absurditeti - dhe e shton dozën e ironisë kur këtë e pranon drejtori i Bibliotekës Kombëtare. Oratoria dhe dëshira për ta folur gjuhën e tjetrit duhet të jetë më shumë poetike- dhe jo të na serviret me kaq prozaizëm në një realitet krejt tjetër. Ky është refleksioni që morëm dje, më shumë se sa treguam se kemi kulturë, të njohim kontributet e një njeriu të madh, një zanatçiu idealist të gazetarisë si Montanelli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›