E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkatoja për Bogdanin nis të flasë “frëngjisht”

 

Klubi francez Grenoble interesohet për shërbimet e sulmuesit të përfaqësueses shqiptare. Drejtori sportiv i skuadrës franceze, Pier Vantez, ka kontaktuar me krerët e Kievos dhe është interesuar për mundësinë e kalimit të bomberit në muajin janar te skuadra transalpine. Gjatë ditëve të ardhshme pritet që të ketë një takim mes të dyja palëve, për të diskutuar rreth 32-vjeçarit kuqezi. Ndërkaq, vazhdojnë tratativat mes klubit veronez dhe Lacios, por trajneri Delio Rosi nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv, në lidhje me një transferim të mundshëm të Bogdanit në radhët e Lacios. Kievo kërkon Makinaun dhe Simone Inzagin në këmbim të shtatlartit shqiptar, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri. Grenoble renditet në vendin e 12-të në kampionatin francez, me 25 pikë të grumbulluara në 25 ndeshje. Për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare interesohen edhe Salernitana e Bolonja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›