Dosjet, zhgradohet Zamir Shtylla
Trazhgim Sokolaj
Një nga zyrtarët më jetëgjatë të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, u largua dje nga ky institucion me një "ceremoni" modeste me dyer të mbyllura. Ish-drejtori i Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale dhe ish-përgjegjës i grupit hetimor të dosjes "Gërdeci", Zamir Shtylla, u komandua "me ulje", prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e rrethit Elbasan. Urdhri që mban firmën e Kryeprokurores Ina Rama, e ka ulur dy shkallë më poshtë në hierarki ish-zyrtarin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke e komanduar në Prokurorinë e Shkallës së Parë të qytetit të Elbasanit. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të organit qendror të akuzës, sipas të cilave në një takim të zhvilluar në mesditë me anëtarët e zyrës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, shpalli komandimin e Zamir Shtyllës në Elbasan dhe emërimin në vend të tij të prokurorit Sokol Stojani. Ky i fundit ka marrë dje zyrtarisht detyrën e drejtimit të grupit hetimor të dosjes "Gërdeci", në përbërje të të cilit ndodhen pesë prokurorë dhe mbi 15 oficerë gjyqësorë. Prokurori Stojani merr edhe detyrën e drejtorit të Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme, një detyrë kjo e mbajtur deri në dorëheqje, nga prokurori Zamir Shtylla. Burimet zyrtare refuzuan të konfirmojnë, por nga burime të takimit të djeshëm është mësuar se Kryeprokurorja Ina Rama, pasi ka prezantuar kreun e ri të grupit hetimor të dosjes "Gërdeci", ka kërkuar që hetimet të mbyllen brenda afatit ligjor, që është 15 marsi i vitit 2009. Duke qenë se çështja kërkon një numër të madh veprimesh që vonojnë hetimin pasi kërkojnë kohë, Kryeprokurorja ka tërhequr vëmendjen për një zgjidhje ligjore të procedimit penal për tragjedinë e Gërdecit, brenda afateve ligjore dhe procedurale. Deri javën e kaluar, hetimet për tragjedinë e Gërdecit janë drejtuar nga prokurori Zamir Shtylla. Pas një karriere 16-vjeçare në organin e akuzës dhe në hetim si dhe pas më shumë se 7 viteve në Prokurorinë e Përgjithshme, ai dje është përshëndetur me stafin e këtij institucioni, pasi ditën e sotme do të vazhdojë punën si prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Elbasanit. Prokurori Shtylla e ka nisur karrierën si hetues, më pas ka qenë shef hetuesie, në kohën e ish-kryeprokurorit Sollaku ka mbajtur detyrën e kreut të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar dhe vitin e fundit ishte emëruar drejtor i Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale.
Prokurori "viktimë" e ligjit të dosjeve
TIRANE - Zamir Shtylla paraqiti dorëheqjen tek Ina Rama javën që shkoi vetëm pak çaste pasi publikisht ishte konfirmuar se ligji për hapjen e dosjeve të komunizmit kishte marrë fuqi, edhe pse pa firmën e dekretit të Presidentit Bamir Topi. Ish-prokurori që drejtori hetimet për tragjedinë e Gërdecit, Zamir Shtylla, njëkohësisht një nga njerëzit që është marrë më gjatë në prokurori me dosjen e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, apo me një sërë çështjesh të tjera të ndjeshme, u konsiderua si "viktima" e parë e ligjit të ashtuquajtur të "lustracionit". Zamir Shtylla prekej nga dispozitat e këtij ligji për shkak se ka qenë hetues para viteve 1990 dhe si rrjedhim ka marrë pjesë në procese politike. Prokurori Shtylla i hodhi poshtë akuzat, pasi u konsiderua publikisht nga Kryeministri Berisha si një "xhelat" që kishte keqtrajtuar qytetarët në Sarandë. t.s