Berluskoni: Kakà mbetet te Milani
Atëherë kur kalimi te Mançestet Siti dukej diçka e mbaruar, pas akordit mes babait-menaxher dhe klubit anglez, presidenti kuqezi i ka telefonuar Galianit dhe ka ndërprerë çdo lloj tratative. Vendimtar edhe refuzimi i brazilianit.
Një përmbysje e befasishme në çështjen “Kakà”. E nuk mund të ishte tjetër përveçse presidenti kuqezi, Silvio Berluskoni ai që do të vendoste gjithçka. Atëherë ku dukej se kalimi i brazilianit për te Mançester Siti ishte diçka e mbaruar, ja ku zbret në fushë presidenti i klubi milanez, në kulmin e operacionit dhe me një telefonatë që i bën Galianit. Vendimtar duket të ketë qenë edhe refuzimi që i ka bërë vetë lojtari transferimit në Angli.
Berluskoni ka shpjeguar se “ka qenë ndërhyrja ime, por edhe e tija. Kur dëgjova të më thoshte se kishte dëshirë të qëndronte, që nuk do të mendonte se kishte humbur një rast për të marrë një rrogë shumë të lartë dhe që privilegjonte vlerat e flamurit, vlerat e miqësisë, ngrohtësinë dhe afeksionin e treguar nga tifozët kuqezinj gjatë këtyre dy ditëve të fundit, unë i thashë ‘urra’ dhe përqafuam. Kakà është dhe mbetet i Milanit”.
E megjithatë, dukej gjithçka e mbaruar pas takimit mes Bosko Leites, babait-menaxher të lojtarit brazilian, vetë Adriano Galianit dhe Garry Cook, presidentit ekzekutiv të klubit anglez. Babai kishte pranuar ofertën e klubit anglez që parashikonte një shifër pak më të vogël se 130 milionë euro për Milanin dhe rreth 18-20 milionë euro në sezon për lojtarin.
Që mbrëmja e të hënës do të sillte lajme të mira, këtë tifozët kuqezi e kanë shpresuar deri në momentin e fundit. Mbi të gjitha pas manifestimeve dhe afeksionit që kanë treguar karshi lojtarit, tifozët e shumtë që janë grumbulluar poshtë pallatit ku banon futbollisti. Para koreve të shumë, Kakà ishte përgjigjur me njërën dorë në zemër dhe në tjetrën mbante një fanellë të Milanit me numrin 22. Një gjest që ka lënë të kuptojë qartë se ai ka dëshirë të qëndrojë në Milano.