E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhën shtetin prej 4 vitesh, në prokurori dy pensionistët e rremë

 

TIRANE - Dy persona që dyshohet se kanë marrë pensione për katër vitet e fundit me anë të dokumenteve false, u zbuluan dhe u dërguan për ndjekje penale dje nga policia e kryeqytetit. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare, sipas të cilave Seksioni kundër Krimit-Financiar ka referuar në Prokurori dosjet penale në ngarkim të dy "pensionistëve" të rremë. "Ata janë Njazi Sherifi, 47 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ibë, komuna Bërzhitë dhe Gëzim Saliu, 59 vjeç, lindur dhe banues në Krrabë, Tiranë", thanë burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas tyre, ndaj dy "pensionistëve" është depozituar kallëzim penal nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në kryeqytet, pasi ata dyshohet se kanë përfituar pension në mënyrë të paligjshme, me dokumente false mbi vjetërsinë e punës. Sipas hetimeve, dy "pensionistët" në momentin e aplikimit për këtë të drejtë, dyshohet se kanë paraqitur dokumente false me qëllim përfitimin e pensionit. Policia sqaroi më tej se materialet në ngarkim të dy "pensionistëve" i kanë kaluar Pro-kurorisë së Tiranës për veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve", "shpërdorimit të detyrës" dhe "mashtrimit", ndërsa procedurat hetimore vazhdojnë për zbulimin e personave të tjerë që janë implikuar në këtë formë abuzimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›