E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat ish-kunatit,në gjyq 31-vjeçari



TIRANE – Mbërrin në gjykatë dosja në ngarkim të një 31 vjeçari, të akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish të fejuarit të motrës së tij. I akuzuar se tentoi të vrasë ish-dhëndrin e tij, pas divorcit me motrën, tashmë Albert Ciku do të ulet në bankën e të akuzuarve. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës konfirmuan depozitimin në sekretarinë e kësaj gjykate të dosjes së Cikut, i njohur edhe me emrin Gerdald Ciku. Sipas organit të akuzës, Albert Ciku është autori i ngjarjes së 12 majit 2009 në Vorë, ku u plagos rëndë Xhevdet Muça. Në gjykatën e Tiranës, Ciku do të gjykohet për akuzat e “vrasjes me paramendim të ngelur në tentativë” dhe atë të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Dosja në fjalë është regjistruar pak ditë më parë në gjykatë. Dje shorti elektronik përzgjodhi gjyqtarin Arjan Alija si togën e zezë që do ta shqyrtojë atë. Albert Ciku u vu në “shënjestër” të Policisë së kryeqytetit si autori i dyshuar i një vrasjeje të mbetur në tentativë ndaj 40 vjeçarit Xhevdet Muça në Vorë në maj të vitit të kaluar. Ai u shpall në kërkim nga policia dhe tre muaj më vonë. Bëhet e ditur se “zanafilla” e konfliktit mes tyre kishte si motiv çështjet e nderit të pjesëtarëve të familjes së të dyshuarit si autori i ngjarjes. Mësohet se i lënduari i ngjarjes, Muça, kishte qenë i fejuar me motrën e të pandehurit Ciku. Pas disa kohësh në këtë statusin e “dhëndrit” të familjes Ciku, 40 vjeçari Muça është ndarë prej saj. Dyshohet se kjo ka qenë arsyeja kryesore që u “përmbyll” me ngjarjen e 12 majit 2009 në afërsi të Vorës. Në këtë datë Ciku dhe Muça takohen rastësisht dhe fillojnë të debatojnë ashpër mes tyre. Sipas organit të akuzës, 31-vjeçari Ciku ka nxjerrë një pistoletë që mbante me vete dhe ka hapur zjarr në drejtim të “kundërshtarit” të tij. Autori i krimit u kap më 13 gusht ndërsa i plagosuri shpëtoi pas ndihmës në spital. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›