Humbi në Babrru, gjendet i mbytur në lumë 2-vjeçari
Etleva Delia
Gjendet i mbytur në lumë djali 2 vjeç e gjysmë, i zhdukur mëngjesin e së dielës, teksa luante pranë bregut të lumit, tek ish-Uzina Dinamo, në Tiranë. I mituri me iniciale I.K. është gjetur nga forcat e policisë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas orësh të tëra kërkimesh përgjatë shtratit të lumit, nga Babrruja deri në afërsi të “Kthesës së Kamzës”. Rreth orës 05:00 të mëngjesit, efektivat e policisë kanë parë një trup fëmije poshtë urës së lumit, që ndodhet te zona e Treshit, afër kodrave të Institutit Bujqësor. Burime nga policia thanë se trupi i të miturit, kishte ngecur pranë një grumbulli mbeturinash. Grupi hetimor lajmëroi familjarët e fëmijës, babanë e fëmijës, Hasanin dhe nënën Mirela Kazanxhiu, të cilët menjëherë e identifikuan trupin e gjetur në lumë. Ata thanë se viktima ishte djali i tyre më i vogël, I.K., 2 vjeç e gjysmë dhe kishte veshur të njëjtat rroba siç kishte dalë nga shtëpia, mëngjesin e së dielës, me tuta dhe një bluzë bojëqielli dhe çizme. Policia sqaroi se trupi i fëmijës u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që grupi hetimor po vazhdon punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të mbytjes. Paraprakisht, dyshohet se djali 2 vjeç e gjysmë, mund të ketë rënë në lumë aksidentalisht, teksa luante me fëmijë të tjerë më të mëdhenj në moshe dhe e ka marrë rrjedha e lumit, derisa ka ngecur në grumbullin me mbeturina, tek ura e Treshit.
Denoncimi për zhdukjen
Dy ditë më parë prindërit e fëmijës, denoncuan zhdukjen e të miturit 2 vjeç e gjysmë në Babrru. Sipas tyre ngjarja kishte ndodhur rreth orës 11:30. Familjarët e të miturit, të cilët janë pjesë e komunitetit rom në Shqipëri, fillimisht kanë nisur ta kërkojnë nëpër lagje dhe zonat përreth dhe kur përpjekjet e tyre kanë dështuar, duke dyshuar edhe për ndonjë rrëmbim të mundshëm, i janë drejtuar policisë, duke kërkuar ndihmën ë organeve të Rendit. Sipas të dhënave të para që babai i fëmijës, Hasan Kazanxhiu, ka dhënë për policinë, djali i tij ishte duke luajtur në breg të lumit dhe më pas nuk është parë më nga familjarët. Familja rome, ka treguar për policinë se, djali i tyre kishte shkuar në mëngjes tek gjyshja e tij që të rrinte me kushërinjtë bashkëmoshatarë të tij. Fillimisht policia është vënë në alarm, duke dyshuar se bëhej fjalë për një rrëmbim me qëllim trafikimin e të miturit jashtë Shqipërisë. Menjëherë është formuar një grup hetimor, me ekspertë të Seksionit të Krimeve Seksuale dhe Rrëmbimit të Personit dhe efektiva të Komisariatit nr.3 dhe nr.5. Gjatë gjithë natës është kontrolluar e gjithë zona në të dy anët e bregut të lumit, deri sa në orët e para të mëngjesit, i mituri është gjetur i mbytur në lum, pranë urës së zonës së Treshit në Tiranë.