Prona e falsifikuar, gjykatësi dy vendime për të njëjtën dosje
VLORE - Anastas Gjoka, 42-vjeçari i akuzuar për përfitimin e një sipërfaqeje 21.7 hektarë në Vuno të Vlorës me dokumente të falsifikuara ka zhvilluar dy procese gjyqësore në qytetin e tij me të njëjtin gjykatës. Dy kërkesëpaditë e Gjokës janë dorëzuar në Gjykatën e Vlorës më datë 17 korrik 2006 dhe janë regjistruar në kryesekretarinë e këtij institucioni me numrat 1810 “Dëshmia e trashëgimisë” dhe 1811 “Njohja e pronësisë”. Të dyja paditë janë hedhur në shortin elektronik të institucionit i cili ka zgjedhur “për koiçidencë” të njëjtin gjyqtar Vladimir Skënderi, për t’i shqyrtuar ato. Pasi është njohur me kërkesat e Gjokës, gjykatësi i çështjes ka caktuar datën 6 shtator për të zhvilluar seancën e vetme për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë në favor të kërkuesit dhe datën 13 shtator për seancën e parë të kërkesës për vërtetim fakti. Për gjyqin e dytë janë zhvilluar tre seanca gjyqësore, ku në të fundit më datë 9 tetor 2006 është vendosur që të njihet prona e Gjokës, sipas pretendimit të tij. Referuar të dhënave të publikuara në ueb-siten zyrtare të Gjykatës së Vlorës ekspertes së ngarkuar për verifikimin e pronave të familjes Gjoka dhe dokumentacionit të depozituar në gjykatë, i është lënë vetëm një javë afat, nga data 2 deri në 9 tetor 2006, kur gjykata ka vendosur të pranonte kërkesën. Po kështu referuar të dhënave zyrtare të institucionit të dyja kërkesat e Gjokës janë shqyrtuar në kohë më të shkurtër se mesatarja e çështjeve të ngjashme, duke bërë që ai të përfitonte brenda dy muajsh pronësinë në bazë të dokumentit të falsifikuar. Sipas Prokurorisë së Vlorës, e cila nisi hetimet më pas dhe arrestoi Anastas Gjokën, ky kishte falsifikuar një dokument të vitit 1946 duke pretenduar se Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Nacional – çlirimtar i kishte konfiskuar gjyshit të tij një sipërfaqe 21.7 hektarë kullotë në Vuno të Vlorës. Prona ndodhej në një pozicion të lakmuar pranë detit, ndërsa shkresa origjinale që ndodhet në Arkivin Vendor të Vlorës nuk kishte aspak lidhje me pronën e pretenduar nga Gjoka. Në vendimin gjyqësor për njohjen e faktit juridik, gjykatësi i është referuar vendimit të mëparshëm që ka dhënë vetë për këtë person ku ka argumentuar se Anastas Gjoka është i biri i Fanol Gjokës, nip i Taso Gjokës dhe stërnip i Gaqe Gjokës. “Pra ai është trashëgimtar ligjor i radhës së parë i Taso Gjokës provuar kjo me vendimin gjyqësor të formës së prerë numër 1424 datë 6 shtator 2006. fa.ma.