E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me 5 plumba, shpëton shqiptari në Itali

 

ITALI – Me dy plumba në këmbë e kanë shembur përtokë. Për t’i dhënë fund e kanë qëlluar edhe tre herë të tjera në shpinë dhe viktima nuk ka lëvizur. Duke e pandehur të vdekur, agresorët janë larguar ndërsa i plagosuri ka mundur të hipë në automjetin e tij dhe të largohet në drejtim të një patrulle policie. Ngjarja që ka pasur për protagonist një 26-vjeçar shqiptar ka ndodhur në Modena të Italisë mbrëmjen e së martës. Bëhet e ditur se Emiliano Sula, person me precedentë të mëparshëm penalë, është qëlluar me 5 plumba pistolete nga persona të paidentifikuar. Ai ka qenë duke ecur në rrugën “Emilia”, kur drejt tij është qëlluar me armë. Dy plumba e kanë prekur atë në këmbë. Pasi ishte rrëzuar përtokë, ai ishte qëlluar edhe tre herë të tjera në shpinë. Pastaj, duke menduar se “objektivi” ishte eliminuar, agresorët janë larguar duke humbur gjurmët. Ndërsa 26-vjeçari ka hipur në automjetin e tij dhe ka lëvizur në drejtim të qendrës së qytetit, derisa ka ndeshur me një patrullë policie. Në vijim, ai është dërguar në spital ku po i nënshtrohet terapisë intensive. Sipas mediave italiane, bëhet e ditur se Sula i kishte pohuar një kushëriri të tij se agresorët kishin qenë dy dhe se ai nuk i njihte ata. Ndërkohë që për autoritetet policore të shtetit fqinj, që po merren me hetimin e ngjarjes, mendohet se ngjarja mund të jetë për “larje hesapesh” në veprimtarinë e shfrytëzimit të prostitucionit.          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›