E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burri mbyt gruan e moshuar

 

Etleva Delia

Një krim në familje, apo një vdekje natyrale nën presion psikologjik? Kjo është pyetja që ka munduar dje familjarët e Zenepe Sherrit, por edhe policinë e Tiranës e cila arrestoi si të dyshuar kryesor për ngjarjen, bashkëshortin e viktimës, Qani Sherrin. Në një kohë kur versioni zyrtar i Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, ishte vrasja pas një grindjeje mes dy bashkëshortëve të moshuar, djemtë e tyre e kundërshtojnë këtë fakt, duke thënë që nëna e tyre vdiq si pasojë e një infarkti kardiak, pasi vuante nga zemra. Ndërkohë burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur për gazetën “Panorama” se ngjarja e djeshme është cilësuar si vrasje, e mbështetur në fakte të forta, por edhe nga dëshmia e 78-vjeçarit të arrestuar, i cili ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Qani Sherri ka pohuar para oficerëve të policisë edhe arsyet që e kanë “detyruar” të mbysë bashkëshorten, edhe pse pasi e kishte parë që zemra e saj kishte pushuar, ai ishte penduar për atë që kishte bërë. Pasi ka pritur disa minuta sa të qetësohej, Sherri ka lajmëruar vetë policinë.
KRIMI NE FAMILJE
Krimi në familje shënoi viktimën e radhës në periferi të Tiranës. Gani Sherri, 78 vjeç dyshohet se ka mbytur bashkëshorten, Zenepe Sherri, pas një grindjeje në banesën e tyre, pranë varrezave të Sharrës. Policia u lajmërua për ngjarjen e rëndë rreth orës 03:30, në një kohë që ngjarja dyshohet se ka ndodhur të paktën një orë më herët. Burime nga policia bënë të ditur se nga hetimet e deritanishme dhe nga dëshmia e të arrestuarit, ka rezultuar se, 78-vjeçari Qani Sherri lindur në Pogradec dhe banues në Tiranë, gjatë orëve të pasdites ka filluar të grindet me bashkëshorten e tij Zenepe Sherri, 69 vjeç, pasi kjo e fundit ka kërkuar me këmbëngulje që të largohej nga Tirana, për në fshatin Losnik të qytetit të Pogradecit, ku kishin shtëpinë e vjetër dhe atje do të kujdesej për shtëpinë, pasi shkonte herë pas here. Më pas gjërat janë qetësuar, ndërkohë që rreth orës 02:00 ka filluar sërish grindja mes bashkëshortëve, pasi Zenepe Sherri ka filluar të bëjë gati valixhen, meqenëse kishte marrë vendim për t’u nisur për në Losnik. Të njëjtat burime sqaruan se në këtë moment 78-vjeçari, duke mos duruar faktin që gruaja e kundërshtoi e ka shtrënguar në fyt deri në arritjen e asfiksisë. Si rezultat i këtij veprimi, Zenepe Sherri ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Qani Sherri, i arrestuar me akuzën e “vrasjes me dashje”, gjatë deklarimeve të tij ka pranuar që e ka mbytur bashkëshorten Zenepe Sherri, pas një grindjeje mes tyre, duke qenë se ajo e kishte kundërshtuar. Gjithashtu ai ka deklaruar se pas veprimit që ka kryer është penduar, por atëherë ka qenë shumë vonë dhe s’ka pasur rrugë tjetër veçse të lajmëronte policinë.

Raporti paraprak mjeko-ligjor
Rezultati paraprak i ekspertëve mjeko-ligjor, pasi kanë kryer autopsinë e 70-vjeçares Zenepe Sherri, flet për një vdekje nga infarkti kardiak. Gjithashtu burime nga Mjekësia Ligjore bënë të ditur se fillimisht e moshuara ka pasur një bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, nga shtrëngimi i fortë në qafë, si dhe një dëmtim të kockës së laringut. Por sipas mjekëve, paraprakisht është përcaktuar se vdekja e Zenepe Sherrit ka ardhur si pasojë e një ataku që i është shkaktuar nga presioni psikologjik dhe frika, pasi ajo prej vitesh vuante nga zemra, madje edhe mjekohej për këtë sëmundje. Shkak për infarktin është bërë edhe mosha e thyer dhe sistemi imunitar i dobësuar. 

Djali: Nuk e vrau babai, vdiq nga infarkti
TIRANE - Djali i madh i familjes Sherri, i cili ka qenë në shtëpi në momentin që nëna e tij ka “vdekur”, të paktën kështu preferon ta quajë ai, pasi nuk e pranon në mënyrë kategorike që 69-vjeçaren ta ketë vrarë Qani Sherri. “Atë që ndodhi nuk mund ta quaj absolutisht vrasje, ajo është vdekje. Kështu është, ose më saktë kështu shpresoj të jetë edhe rezultati që do të kryhet në morg. Babai im nuk e ka vrarë nënën, kjo është absurde. Ata vërtetë janë grindur mbrëmë, por ai nuk e ka vrarë. Ata kishin kaq vite martesë”, është shprehur i biri i 78-vjeçarit të arrestuar. Më pas ai ka shpjeguar edhe arsyet që sipas tij e kanë bërë nënën e tij të ndërrojë jetë. “Ajo vuante nga zemra, kishte në shtëpi disa lloje ilaçesh që i pinte çdo ditë. Një e ngritur zëri, një situatë e rënduar psikologjike, asaj mund t’i shkaktonte gjendje të fikëti dhe unë kështu mendoj, ajo për këtë arsye ka vdekur, pasi është trembur, ka pasur frikë dhe zemra e saj ka qenë shumë e dobët”, ka mbyllur shpjegimin e tij për ngjarjen e rëndë djali i madh i çiftit Sherri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›