Kapen me 50 doza hashash në lokal, arrestohen dy të rinj nga Erseka
TIRANE - Dy të rinj nga Erseka kanë përfunduar në pranga mbrëmjen e së martës, pasi janë kapur me 50 gramë bimë narkotike, të dyshuar hashash. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Tiranës bëhet e ditur se janë arrestuar 26-vjeçari Orgest Niço dhe 21-vjeçari Perika Kosho, në ambientet e një lokali në rrugën “Halit Bega”, pranë Minibashkisë nr.4 në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, dy të rinjtë janë zbuluar pas një denoncimi të një personi, i cili kishte shkuar për të blerë një pako me bimë narkotike dhe ata nuk ia kishin shituar, pasi nuk e kishte të gjithë shumën e parave siç e kishin përcaktuar çmimin ata. Menjëherë oficerët e Antidrogës së Tiranës kanë shkuar në lokalin ku ndodheshin dy të rinjtë, të cilët jetonin në një banesë me qira pranë lokalit ky kryenin tregtinë dhe ka ushtruar fillimisht kontroll. Njëri nga personat e dyshuar ka tentuar që ta fshehë bimën narkotike, por është zbuluar nga oficerët. Atyre u është sekuestruar 51 gramë hashash, një aparat telefoni celular dhe pesë karta sim të kompanive të ndryshme të telefonisë celulare. Sipas njoftimit të policisë, mësohet se Orgest Niço është arrestuar me akuzën e shpërndarjes së lëndës narkotike, ndërsa Perika Kosho është arrestuar për moskallëzim krimi. e.d