E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës, si u prit kjo festë në disa qytete të vendit

Tirana, axhendë të ngjeshur festimesh. Festa kthen kryeqytetin në kaos
Jonida Tashi

Dita e verës është festuar dje me aktivitete të ndryshme pothuajse në të gjithë vendin. Megjithëse fillimisht kjo festë ka qenë simbol i qytetit të Elbasanit, tashmë ajo është kthyer në një festë zyrtare, që e mirëpresin të gjitha qytetet e vendit. Mijëra qytetarë të kryeqytetit kanë nisur festimin e kësaj dite që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Ditën e Verës, një festë pagane dhe popullore, e shpallur pak vite më parë si festë kombëtare për shqiptarët. Gjatë sistemit komunist festimi i kësaj feste ka qenë i ndaluar në mënyrë kategorike, pasi ky regjim e cilësonte atë si një si festë tipike fetare. Zanafilla e Ditës së Verës është e hershme dhe daton që në kohët antike në qytetin e Elbasanit. Sipas qytetarëve të Elbasanit, të mirinformuar për këtë festë, Dita e Verës zanafillën e saj e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, ditë kur perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës dilte nga faltorja e saj. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë duket se ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm te banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë. Me gjithë shtrirjen që ka marrë sot kjo festë popullore, e trashëguar brez pas brezi, ajo ende sot vazhdon të identifikohet me qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore dhe arsimore.
Gjithsesi, ashtu si edhe çdo vit, askush nuk e ka kuptuar Festën e Ditës së Verës pa shijimin e ballokumes, një gatim i veçantë i Elbasanit. Në shumë pika në rrugët e Tiranës janë tregtuar ballokumet e famshme, ndërkohë që odiseja e shitjes së tyre ka nisur prej ditësh në kryeqytet. Banorët e Elbasanit janë mjaft fanatikë në prodhimin e saj, madje ata janë të bindur se ballokumet e këtij qyteti jo vetëm që janë një ëmbëlsirë karakteristike e zonës së Elbasanit, por ato nuk mund të prodhohen me mjete industriale, por veçse me përpunim primitiv, ku si bazë e tyre është mielli i ëmbël i misrit dhe mënyra e gatimit. Kryeqytetasit janë përqendruar kryesisht në parkun “Rinia”, në sheshin “Skënderbej”, bulevardi kryesor i kryeqytetit, por edhe në kodrat e liqenit, duke ndjekur aktivitetet e parashikuara për këtë ditë nga Bashkia e Tiranës. Edhe pse me një trafik tejet të rënduar, qytetarët kanë vazhduar shëtitjet e tyre si edhe një seri aktivitetesh të organizuara në Tiranë. Nuk i kanë munguar këtij ambienti festiv edhe pikat ambulante të ngritura enkas për këtë ditë, ku është ofruar falas simboli i kësaj dite, veroret me ngjyra të kuqe dhe të bardha. Por, surpriza të këndshme ofruan këtë Ditë Vere edhe kompanitë e ndryshme të konsumit, të cilat të vendosura në sheshet kryesore, shpërndanë dhurata dhe ofruan evenimente argëtuese. Po kështu, me rastin e Ditës së Verës Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me shoqatën liriko-koncertale “Maria Callas” kanë parashikuar të organizojnë në mbrëmje në sallën e koncerteve të MTKRS-së një koncert me muzikë dhome me sopranon Sara Galli, në piano Ardita Bufaj.
Festimet në Tiranë
Me rastin e Ditës së Verës, Bashkia e Tiranës organizoi për të katërtin vit radhazi një festë gjigante me elemente të larmishëm e argëtues, për të gjitha shtresat e grupmoshat. Ashtu si çdo vit, kompani të mëdha biznesi ishin mbështetës të iniciativës së Bashkisë së Tiranës, për të festuar denjësisht këtë ditë tradicionale për vendin. Banda e Qytetit startoi festimet në orën 10:00, duke përshkuar sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për t’u pasuar menjëherë nga Ansambli Popullor Tirana. Që në fillimet e saj tradicionale, Dita e Verës ka qenë gjithmonë e lidhur me veprimtaritë sportive apo me lojërat fizike popullore. Për këtë arsye, sheshi “Skënderbej” u transformua në një stadium të hapur basketbolli për nxënës të grupmoshave të ndryshme. Fëmijët gjetën aktivitete interesante për moshën e tyre pranë lulishtes së Monumentit të Skënderbeut, ku u zhvillua projekti tashmë i suksesshëm “Të lindur për të lexuar”, ndërsa Cirku i Tiranës me klounët e tij të dashur për fëmijët, dhuroi çaste të bukura e interaktive pranë parkut “Rinia”. Shumë koncerte me këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë dhe alternative, DJ dhe balerinë modernë apo klasikë, u zhvilluan në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës për të argëtuar të rinjtë. Pranë hotel “Dajtit” kompania Vodafone organizoi një koncert me këngëtarë të njohur të muzikës moderne shqiptare. Në lulishten te Galeria e Arteve gjithashtu u organizua një koncert me këngëtarët e muzikës pop dhe turbofolk, ndërsa në urën e re te Shallvaret u organizuar një koncert harqesh me muzikë klasike. Këtë vit si asnjëherë tjetër, Tirana u bë skenë ndërkombëtare në Ditën e Verës. Dy evenimente spektakolare u zhvilluan për herë të parë në kryeqytet. Në orën 10:00, në sheshin “Nënë Tereza”, të modifikuar si një arenë, kampionë të botës në Moto Jump, sport ky i përhapur në kontinentin amerikan, por që sot gjen mjaft të pasionuar kudo në Europë, dhanë një spektakël të vërtetë adrenaline dhe të papërsëritshëm për publikun e gjerë. Por pasditja ruajti surpriza më të forta për ata që festuan. Në orën 18:00, në perëndim të diellit, nga fillimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, një karvan emocionues artistësh francezë parakaluan të shoqëruar nga një anije gjigante, për të performuar me muzikë dhe audio-krijimin romantik të hënës.
Kryeministri Berisha feston Ditën e Verës në Elbasan
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, vizitoi dje qytetin e Elbasanit në Ditën e Verës, festë tradicionale kombëtare e simbolizmit të ardhjes së pranverës. Fillimisht, kryeministri vizitoi Panairin e Ditës së Verës, i cili është një aktivitet i përvitshëm në këtë ditë, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkia e Elbasanit. Kryeministri Berisha, i cili shoqërohej në këtë panair edhe nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, u ndal në të gjitha stendat e panairit, ku u takua dhe bashkëbisedoi me biznesmenë dhe sipërmarrës, të cilët kishin ekspozuar produktet e tyre në këtë panair.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh: “Elbasani u ka bërë shqiptarëve një dhuratë të mrekullueshme, pasi ruajti dhe u trashëgoi e përcolli në shekuj atyre një festë popullore, e cila sot është bërë festë kombëtare”. Sipas Berishës, këtë vit kjo festë është edhe më e veçantë, sepse shqiptarët festojnë me një pranverë krejtësisht tjetër krahasuar me pranverën e një viti më parë, sepse është shpallur pavarësia e Kosovës dhe realizuar hapja e negociatave me Bashkimin Europian dhe nënshkrimi i marrëveshjes për regjimin e vizave, pas së cilës qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, në fund të këtij procesi, do të mund të udhëtojnë pa viza në hapësirën politike më të gjerë në botë, atë të BE-së.

Elbasan, Berisha viziton mozaikun e vjetër

Gjatë vizitës në qytetin e Elbasanit, kryeministri Berisha vizitoi edhe mozaikun e lashtë, të zbuluar së fundi në qendër të qytetit, gjatë punimeve infrastrukturore atje. Arkeologët e informuan kryeministrin se sipas të dhënave historike, ky mozaik mendohet të jetë ndërtuar në fund të shekullit V të erës sonë. Kryeministri Berisha, duke vënë në dukje vlerat e këtij mozaiku, u shpreh se këto pasuri të rralla të vendit duhet të mbrohen dhe kultivohen, si një dëshmi e trashëgimisë sonë kulturore. Gjithashtu, kryeministri Berisha vizitoi një ndër familjet më të vjetra të qytetit të Elbasanit, Kozarja, familja e nipit të Aqif Pashë Elbasanit, i cili në 25 nëntor 1912 ka ngritur flamurin në qytetin e Elbasanit. Kryeministri pati një bashkëbisedim të ngrohtë me familjarët, duke u uruar atyre Ditën e Verës dhe duke ju shprehur nderimet për figurën dhe kontributin e Aqif Pashë Elbasanit në momente vendimtare historike të kombit tonë.

BERAT, Dita e Verës dhe karnavalet mbushin sheshin

Dita e Verës është festuar me shumë aktivitete edhe në qytetin e Beratit, i cili e ka pritur ndryshe 14 marsin këtë vit. Dita e Verës dhe Karnavalet, ndryshe nga vitet e tjera në qytetin e një mbi një dritareve, këtë vit kanë qenë një spektakël i vërtetë i ngjyrave, muzikës, vallëzimit dhe fantazisë pa kufij. Këto dy festa, që simbolizojnë ardhjen e Ditës së Verës, në qytetin më të vjetër të Ballkanit tashmë do të shndërrohen në një traditë ekstravagante dëfrimi dhe ritmi muzikor. Berati është pushtuar dje nga fytyrat e gëzuara të fëmijëve dhe të rriturve, të cilët 14 Marsin e këtij viti e përjetuan ndryshe nga vitet e tjera. Bashkia Berat, Drejtoria Rajonale e Arsimit dhe qendra kulturore “Margarita Tutulani”, që ishin edhe organizatorët e aktivitetit festiv në sheshin e qytetit, kishin ditë që përgatiteshin për këtë shfaqje artistike që është transformuar dje në një spektakël i vërtet. Mijëra qytetarë beratas, por edhe të ardhur nga zonat përreth, kanë shijuar veshjet ekstravagante të të rinjve të kopshteve e shkollave, shfaqjet artistike me humor dhe këngë, ku nuk kanë munguar dhe demonstrimet e më të vegjëlve, fëmijëve të kopshteve, të cilët u ngjitën të parët në skenën e përgatitur për këtë festë në sheshin qendror të qytetit.
E. Petova

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›