E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursimet e qytetarëve mund të investohen në bono thesari

Qytetarët apo familjarët të cilët mbajnë kursimet e tyre të depozituara nëpër banka, apo qoftë edhe në shtëpi “poshtë jastëkut”, kanë mundësi që t’i qarkullojnë ato (paratë) dhe të fitojnë më tepër. Investimi i këtyre parave në sektorë me leverdi dhe me një shkallë risku minimale, do të ishte rruga më e mirë për të fituar nga këto para të kursyera më tepër se t’i mbyllnit në banka dhe të prisnit që të shtoheshin nga interesat minimale. Për momentin zgjedhja më mirë është blerja e letrave të borxhit qeveritar (bonove të thesarit dhe obligacionet). Interesi në këto lloj instrumentesh është më i lartë se ato që përfitohen nga depozitat në bankat e nivelit të dytë, por ajo që është më e rëndësishme, risku është zero. Kjo për shkak se garant është shteti në mënyrë të drejtpërdrejtë. Një gjë e tillë ndikon direkt në vendimet ekonomike, që personat e ndryshëm ndërmarrin, ku normat e interesit shërbejnë si faktor përcaktues për investimet në nivelin e përgjithshëm të ekonomisë. Por, një pjesë e madhe e popullsisë, e cila ka mënjanë kursime, nuk janë të orientuar në lidhje me leverdishmërinë, se në çfarë investimesh mund të marrin fitimet më të larta nga depozitimi apo vënia në qarkullim e kursimeve të tyre. Bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme për të financuar shpenzimet që nuk i mbulon dot nga të ardhurat. Huamarrja nga publiku kuptohet ndryshe si shitja e letrave me vlerë të qeverisë te publiku. Si për çdo borxh të kërkuar, për të cilin paguhen interesa edhe qeveria paguan interesa për këtë borxh. Këto janë më të larta se çdo lloj investimi tjetër në depozita. Por mungesa e informacionit për këto produkte, që kanë një historik të shkurtër në tregun bankar vendas, ka bërë që individët të jenë aktorë të pakët të këtij tregu, që në shumë raste paraqet mundësi të arta fitimesh. Rritja e vazhdueshme në kohët e fundit e interesave të bonove të thesarit dhe obligacioneve paraqitet si një mundësi e re për të investuar kursimet edhe për individët. Investimi në bono thesari 1-vjeçare, 6-mujore apo 3-mujore për individët, sjell interesa në disa raste dy herë më të larta se depozitat e vendosura në pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë. Nëse depozitat e kthejnë interesin pas një viti apo 6 muajsh, bonot e thesarit i kthejnë interesat në momentin që investitori vihet në shërbim të saj. Kështu, interesi i një bonoje të blerë në treg është më i lartë se ai që deklarohet, pasi interesat e përfituar mund të investohen përsëri në letra me vlerë apo investime të tjera fitimprurëse. Por qytetarët nuk janë të orientuar karshi këtyre produkteve, sepse bankat e nivelit të dytë që i shesin bonot e qeverisë për individët, janë të prira më shumë për të reklamuar shërbimet e depozitave që ofrojnë vetë.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›