E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama zyrtarizon stafin e ngushtë për fushatën elektorale, mungon Arben Malaj

Nga L.Progni

Rama zgjedh stafin e ngushtë, me të cilin do të drejtojë punët e partisë përgjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të vitit 2009. Mungon në listën e Ramës Arben Malaj, i cili nuk është zgjedhur as në listën e anëtarëve të Kryesisë që do të drejtojnë fushatën në qarqe dhe as në listën e shtabit qendror të organizimit elektoral.

Shumica e anëtarëve të Kryesisë së PS do të shpërndahet në të gjitha qarqet e vendit për të drejtuar organizimin elektoral të partisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit të ardhshëm. Në nivele më të ulëta sesa posti i kujdestarit për qarkun, do të jenë deputetët socialistë dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS, të cilët do të aktivizohen në fushatën elektorale në aktivitete të ndryshme me elektoratin, ku përfshihen edhe takimet me elektoratin. Me nisjen e aktivitetit të të zgjedhurve të PS në qarqe në funksion të fushatës elektorale do të nisë të kristalizohet edhe lista e kandidatëve për deputetë të PS në të gjitha qarqet. Kjo për shkak se do të jetë pikërisht aktivizimi dhe kontributi i secilit përgjatë fushatës, një kriter kryesor për të qenë në listën e e kandidatëve për deputetë të PS në të gjitha qarqet e vendit. Që në nisje të punës duket se disa emra janë të skualifikuar, pasi disa emra nuk duket se figurojnë në asnjë prej listave të Ramës me të zgjedhurit për të drejtuar fushatën elektorale të PS për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Në listë mungojnë ata që kanë spikatur si figura që mbështetën ish-kryetarin e PS, Fatos Nano, por që kanë zgjedhur të qëndrojnë në PS dhe të mos i shkojnë nga pas Petro Koçit në partinë e re të themeluar prej tij pak ditë më parë, me emrin PS91.

Lista

Erion Braçe do të jetë kujdestar për qarkun e Beratit, që do të thotë se ai drejton të gjithë procesin e organizimit të partisë në këtë qark, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. I deleguar nga Kryesia e partisë, Braçe ngarkohet të kontrollojë të gjithë aktivitetin e partisë në këtë qark, deri edhe në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së emrave që do të jenë në listën e kandidatëve për deputetë. Të njëjtin mision në qarkun e Durrësit e ka anëtari i Kryesisë së PS, Namik Dokle, i cili transferohet në këtë mënyrë nga Elbasani për të drejtuar punët e partisë në qarkun e Durrësit. Në qarkun e Dibrës është ngarkuar nga Kryesia Pandeli Majko, në qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj, në qarkun e Gjirokastrës është ngarkuar Gramoz Ruçi, në qarkun e Fierit, Ermelinda Meksi, e cila më parë ishte e ngarkuar në qarkun e Tiranës. Në qarkun e Korçës është ngarkuar Ben Blushi, në Lezhë, Lindita Nikolla. Në Kukës, Mimi Kodheli, në Tiranë, Shpëtim Idrizi, në Shkodër, Mimoza Hafizi, në Vlorë, Arben Isaraj. Veç 12 anëtarëve të Kryesisë që janë zgjedhur të drejtojnë PS në 12 qarqe, kanë mbetur jashtë aktivizimit edhe 4 të tjerë, ku përfshihet edhe Arben Malaj. Veç Malajt në listën e emrave të Kryesisë të caktuar kujdestarë në qarqe mungojnë pikërisht tri gra të Kryesisë, Ledi Shamku, Eva Allushi e Saimira Pino.

Deputetët

Deputetët aktualë të PS janë ngarkuar të shkojnë në zonat e tyre elektorale për të nisur menjëherë riorganizimin e partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputetët do të drejtohen nga kujdestari i caktuar nga Kryesia e partisë në të gjitha lëvizjet që ata do të ndërmarrin në funksion të fushatës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Deputetët do të raportojnë te kujdestari i qarkut, ku bëjnë pjesë për të gjitha aktivitet që do të ketë përgjatë fushatës elektorale. Roli i deputetëve aktualë në drejtimin e punëve të partisë gjatë fushatës është reduktuar krahasuar me fushatat e tjera paraardhëse. Kjo edhe për shkak se jo të gjithë deputetët aktualë janë figura që do të jenë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputetët do të jenë në funksion të të zgjedhurve të Kryesisë për të drejtuar fushatën dhe do të veprojnë vetëm në zonat e tyre elektorale, nën monitorimin e kujdestarit të Kryesisë për qarkun.

Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral do të jetë hallka e fundit që do të monitorojë fushatën elektorale në të gjitha nivelet e saj. Në këtë shtab janë zgjedhur kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS Gramoz Ruçi, deputetët Kastriot Islami, Fatmir Xhafaj, Blendi Klosi, Shpëtim Idrizi, si dhe anëtarja e Asamblesë Kombëtare, Etleva Bishaj.

Programi

Një pjesë e konsiderueshme e Asamblesë Kombëtare të PS do të jetë e angazhuar në procesin e përfundimit të programit të ri politik qeverisës të PS, proces që ka nisur që me “Dialog me Shqipërinë”, dhe që do të mbyllet pas një procedure të gjatë, me një tjetër dialog të kryetarit të PS me Shqipërinë. “Çdo gjë po ecën sipas planit tonë dhe shqiptaret e shqiptarët në të gjithë Shqipërinë po marrin pjesë në përgatitjen e programit tonë, i cili po formësohet në bashkëpunim me njerëzit, për të gjithë ata sektorë ku janë njerëzit që po flasin. Jemi ne që po mbledhim me shumë vëmendje dhe vullnet të gjitha shqetësimet, sugjerimet e tyre dhe ku sigurisht, në kohën e duhur, do të bëhet edhe ballafaqimi përfundimtar i ideve që do të dalin nga “Rruga e ideve për të ardhmen”, që sapo ka nisur me fazën e dytë të “Dialogut me Shqipërinë”, - tha dje Edi Rama, i pyetur për ecurinë e procesit të hartimit të programit qeverisës të PS.

Anëtarët e Kryesisë që do të drejtojnë PS në fushatë

Qarku Berat (rrethet Berat, Kuçovë, Skrapar) Erion Braçe

Qarku Durrës (rrethet Durrës, Krujë) Namik Dokle

Qarku Dibër (rrethet Diber, Mat, Bulqizë) Pandeli Majko

Qarku Elbasan (rrethet Elbasan, Librazhd, Peqin, Gramsh) Valentina Leskaj

Qarku Fier (rrethet Fier, Lushnjë, Mallakastër) Ermelinda Meksi

Qarku Gjirokastër (rrethet Gjirokastër, Tepelenë, Përmet) Gramoz Ruci

Qarku Korçë (rrethet Korçë, Devoll, Pogradec, Ersekë) Ben Blushi

Qarku Kukës (rrethet Kukës, Tropojë, Has) Mimi Kodheli

Qarku Lezhë (rrethet Lezhë, Mirditë, Kurbin) Lindita Nikolla

Qarku Tiranë (Qyteti Tiranë, rrethet Tiranë, Kavajë) Shpëtim Idrizi

Qarku Shkodër (rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë) Mimoza Hafizi

Qarku Vlorë (rrethet Vlorë, Sarandë, Delvinë) Arben Isaraj

Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral

Gramoz Ruçi, deputet, kryetar i Asamblesë Kombëtare

Etleva Bishaj, anëtarë e Asamblesë Kombëtare

Kastriot Islami, deputet

Fatmir Xhafaj, deputet

Blendi Klosi, deputet

Shpëtim Idrizi, deputet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›