BSH: Rreziqet në ekonominë shqiptare janë rritur shumë
Banka e Shqipërisë ka ngritur në nivele të larta shqetësimin për rritjen e rreziqeve të mëdha në ekonominë tonë në lidhje me ndryshimin e kursit të këmbimit dhe ndryshimin në interesat e huamarrjes. Banka e Shqipërisë tha se kriza e madhe botërore do të sjellë probleme të mëdha edhe për ekonominë tonë, e cila është një ekonomi e vogël dhe mjaft e brishtë. Sipas BSH, ndryshimet në interesa mund të theksojnë më tej faktorët që mbështesin kredidhënien në valutë, dhe për të ruajtur pjesën e tyre të tregut e për të kontrolluar kostot e financimit, sektori bankar mund të zgjedhë të financohet nga tregu i jashtëm në valuta jo-kryesore (të ndryshme nga dollari amerikan dhe euro), me norma interesi relativisht më të ulëta. Këto lëvizje mund të shkaktojnë ashpërsimin e karakteristikave të rrezikut që mbart huadhënia e shpejtë dhe veçanërisht ajo në valutë, si rezultat i financimit në një valutë, rreth së cilës nuk ekziston njohja e nevojshme nga ana e kredimarrësit dhe i rritjes së madhësisë së vlerës së këstit të kredisë që duhet paguar, për kreditë me normë interesi të ndryshueshme. Ndjeshmëria e portofolit të kredisë në valutë ndaj një ndryshimi të mundshëm, të pafavorshëm të kursit të këmbimit, bëhet edhe më e madhe. Bankat ashtu edhe klientët e tyre huamarrës duhet të ndjekin me kujdes dinamikën e zhvillimeve të këtyre faktorëve dhe të kryejnë veprimet e nevojshme për t’u mbrojtur nga zhvillimi i tyre i pafavorshëm. Analiza “stress-test” mbi rrezikun e drejtpërdrejtë të ndryshimit të normës së interesit dhe analiza e rrezikut të tërthortë të kreditit nga ndryshimi i normave të huaja të interesit për valutat kryesore, tregojnë se sektori bankar në tërësi paraqet një rezistencë të mjaftueshme ndaj këtyre rreziqeve. Megjithatë, banka të veçanta paraqesin një ndjeshmëri relativisht të lartë ndaj këtyre rreziqeve. Autoriteti qendror monetar bën të ditur se lëvizjet e kursit të këmbimit, përveç pasigurisë për vlerën e valutave kryesore (dollari amerikan dhe euro) që ekziston në tregjet ndërkombëtare për shkak të krizës financiare, drejtimi i ndryshëm i lëvizjes së normave bazë të interesit në kushtet e përparësive të ndryshme të bankave qendrore, ndodh të krijojë mundësi për lëvizje ekstreme të diferencës mes tyre, si edhe ndryshim të vlerës së tyre në raport me monedhën kombëtare.