E Hënë, 2 Nëntor 2026

Atentat në Durrës, plagoset Lul Berisha e dy të tjerë

06/05/2005  Policia e Durrësit e arrestoi në 1997

Lul Berisha, i këkruar për trafik nga Interpoli

Lulëzim Berisha ka qenë person i shpallur në kërkim nga Interpoli. Ai ka qenë një herë i arrestuar për verpën penale të trafikimit. Lajmi është botuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare më 20 gusht të vitit 1997. Sipas kësaj agjencie, shtetasi Lulëzim Adem Berisha ka qenë person i shpallur në kërkim për kryerjen e veprës penale të trafikimit të drogës, për të cilën edhe kërkohej nga Interpoli gjerman. Ai është arrestuar nga policia shqiptare dhe gjatë trazirave t vitit 1997, është arratisur nga qelitë e izolimit.

Autori i identifikuar nga policia qëlloi me pistoletë vetëm 4 metra larg nga „shënjestra“ e tij

DURRËS - Tre persona, mes të cilëve edhe Lul Berisha, i njohur si biznesmen, i kanë shpëtuar vdekjes së sigurtë dje në Durrës. Mbi Berishën dhe dy miqtë e tij, Isuf Morina dhe Kujtim Haxhiaj, është qëlluar tetë herë, por pa shkaktuar plagë serioze për jetën. Ngjarja ka ndodhur pak pas orës 10.30 të paradites së djeshme, në afërsi të fabrikës së cigareve.

Ndërsa viktimat, sipas burimeve spitalore, thuhet se janë jashtë rrezikut për jetën, ekzekutori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes pa rënë në hekurat e uniformave blu të Durrësit. Gjithsesi, burimet zyrtare të policisë kanë bërë të ditur dje se autori është i identifikuar nga ana e tyre, por emri i tij për arsye hetimore nuk është bërë i ditur për median. Policia po heton në disa pista në lidhje me këtë ngjarje, mes të cilave janë dhe ato të ndonjë hakmarrjeje të mundshme për ndonjë konflikt që mund të kenë patur shtetasit e plagosur, apo dhe për motive

pronësie.

Ngjarja

Dje, rreth orës 10.30, në rrugën “Skënderbej”, që është edhe rruga kryesore e qytetit, një person i armatosur ka qëlluar në drejtim të Lulëzim Berishës, 34 vjeç, Isuf Morina, 40 vjeç dhe Kujtim Haxhiaj, 37 vjeç, të tre banorë të qytetit të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur para godinës së ish-fermentimit të duhanit, e cila, që prej pesë muajve, ka kaluar në pronësi të motrës së Lulëzim Berishës.

Autori i krimit është afruar me një makinë dhe, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ka qenë i vetëm në kryerjen e atentatit. Makina e personit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia për qëllime hetimi, është ndalur në krahun e godinës së fermentimit ngjitur me trotuarin dhe është lënë e ndezur.

Policia ka thënë se nga hetimet paraprake, rezulton që krimi është realizuar nga një person, por agjentët e policisë mendojnë se ai është shoqëruar në distancë nga të paktën edhe një person i dytë.

Autori, që ka qëlluar mbi tre personat, ka lënë makinën rreth 10 m larg lokalit të motrës së Lulëzim Berishës, lokal i cili gjendet në katin e parë të godinës së ferementimit dhe përballë rrugës më të frekuentuar në Durrës. Ekzekutori ka zënë pozicion rreth pesë metër larg makinës së tij dhe në anë të trotuarit, përballë lokalit në pritje të viktimës së tij, për të cilin ka shumë të mundur që të ketë pasur informacion dhe dijeni të plotë se po udhëtonte drejt lokalit.

Pikërisht në kohën që Lulëzim Berisha së bashku me kushëririn e tij të parë Isuf Morina dhe Kujtim Haxhiun, kanë zbritur nga makina, me targa DR 1921 D, pronë e Berishës, vrasësi ka nxjerrë pistoletën, duke qëlluar mbi ta. Persona që kanë qenë pranë vendit të krimit në mënyrë të rastësishme kanë pohuar se tre viktimat e atentatit janë bërë pre e plumbave sapo ata kanë vënë këmbë në trotuar në kohën që po i drejtoheshin lokalit të së motrës së Berishës. Policia ka pohuar se ka shumë mundësi që shënjestër e krimit të ketë qenë Lulëzim Berisha, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se Haxhiaj dhe Morina janë përpjekur t’i shmangen plumbave, por ka qenë e pamundur dhe të tre ata kanë marrë plagë.

Në spitalin e Durrësit, ku edhe janë dërguar të plagosurit, mësohet se Lulëzim Berisha ka marrë një plumb në dorë, Haxhiaj është qëlluar në këmbë, kurse Isuf Morinën plumbi e ka marrë në pjesën e barkut.

Në vendin e ngjarjes policia ka bllokuar në cilësinë e provës materiale tetë gëzhoja të një pistolete 7.62 mm, ndërkohë që autori i vrasjes është larguar, duke marrë me vete edhe armën e krimit.

Objektivi

Sipas burimeve policore objekti i këtij atentati të ndodhur vetëm 30 metër larg uniformës së qarkullimit rrugor që rregullon trafikun në kryqëzimin pranë fermentimit, ka të mundur të ketë qenë Lulëzim Berisha, ndërsa dy të tjetër janë viktimë e ngjarjes. Nisur nga pohimet, që kanë përcjellë këtë ngjarje, mësohet se ekzekutori ka qenë rreth katër metër larg tyre dhe pasi ka qëlluar tetë herë është larguar me të njëtin mjet në drejtim të rrugës së portit të Durrësit.

Tre të plagosurit kanë rënë përtokë menjëherë, si pasojë e plagëve, ndërsa autori i ngjarjes është larguar i bindur se ka qëlluar për vdekje së paku personin e skeduar. Pesë nga plumbat nuk kanë shkuar në “objektiv”, njëri prej të cilëve ka qëlluar reklamën e lokalit, kurse të tjerët janë ngulur në dhe’.

Dyshimet

Policia me të marrë njofimin ka bllokuar të gjitha kalimet kryesore të Durrësit, duke ushtruar kontroll të rreptë, por, megjithë përforcimet e shërbimeve në rrugë, si dhe trupat speciale të afruara për këtë rast, personi që ka lënë të plagosur objektivin i ka shpëtuar gardhit të uniformave blu.

Ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët kryesore të qytetit dhe pikërisht në kohën më të populluar nga kalimtarë, ndërkohë që dëshmitarë të ngjarjes janë bërë jo vetëm kalimtarë në dy anët e trotuareve, por edhe persona që pinin kafë në lokalet pranë.

Të tre viktimave të aksidentit u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, ndërsa njëri prej tyre, e pikërisht Isuf Morina, është dërguar më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës për shkak të komplikacioneve.

Motivi, sipas policisë

“Ndoshta pronësia mbi fermentimin”

Policia nuk ka dhënë detaje rreth motiveve që kanë shtyrë autorin e krimit të qëllojë në mes të qytetit tre persona. Nga ana tjetër burimet zyrtare nuk kanë deklaruar as edhe emrin e ekzekutorit, duke thënë se ai është identifikuar, por për shkak të hetimeve nuk bëhet i ditur.

Policia gjyqësore mësohet se po heton në disa pista dhe më së shumti rreth hakmarrjes për motive personale. Por zgjedhja e vendit të krimit, pikërisht para godinës së fermentimit, që ka kaluar në pronësi të motrës së Lulëzim Berishës në dhjetor të vitit të kaluar, si dhe shkrehja e plumbave para lokalit të tij, ka shtuar dyshimet që pas këtij krimi të qëndrojë konflikti për pronësinë e godinës.

Fermentimi, godinat e të cilit ka një sipërfaqe prej 10 mijë m2 është blerë nga motra e Berishës pas një ankandi që e ka vlerësuar 120 milionë lekë. Pasi godina ka kaluar në pronësi të tij, fermentimi është përfshirë nga flakët në janar të këtij viti dhe që pasi kanë përfshirë më shumë se gjysmën e sipërfaqes dhe të katër katet janë shuar 36 orë pas rënies së flakës. Policia ka thënë se zjarri është shkaktuar nga shkëndia elektrike. Plagosja e Lulëzim Berishës dhe dy personave të tjerë, pikërisht para fermentimit, ka shtyrë grupin hetimor të hetojë rreth ndonjë konfikti pronësie. Por nga ana tjetër policia po heton edhe rreth konflikteve të tjera të tij si dhe të Morinës dhe Haxhiajt me persona të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›