E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria, 10 vjet burg dhe 40 milionë lekë gjobë, për trafikantin e minorenëve

06/05/2005  Avokati kërkon pafajësi

KORÇE – Në emër të organit të akuzës së Korçës, prokurorja Roza Qiriazi, ka kërkuar dje 10 vjet burg dhe 4 milionë lekë gjobë për Gjergji Bedullën, banor i qytetit të Korçës, i cili akuzohet për trafikim të minorenëve në Greqi, për qëllime përfitimi. Qiriazi ka kërkuar shpalljen fajtor të të akuzuarit për trafikim të tre minorenëve nga Korça në qytetin e Selanikut, të cilët i ka shfrytëzuar për disa muaj me radhë, derisa fëmijët u riatdhesuan nga policia e shtetit grek.

Akuza

Sipas prokurores Roza Qiriazi, në korrik–gusht të dy viteve më parë, i arrestuari Bedulla, pasi u ka dhënë prindërve të minorenëve nga 5 mijë lekë (të reja), ka marrë fëmijët Alban Seriani, Petrika dhe Mariglen Babani dhe i ka nxjerrë ilegalisht në shtetin fqinj. Sipas organit të akuzës, për një fare kohe tre minorenët kanë punuar si shitës ambulantë në Selanik të Greqisë, derisa u riatdhesuan nga policia e shtetit fqinj.

Gjatë kësaj kohe, tha prokuroria Qiriazi, tre fëmijët janë nxjerrë në rrugë nga Gjergji Bedulla dhe përdoreshin për të shitur kartopiceta dhe ikona. Të gjitha të hollat që grumbullonin nga kjo punë, ua merrte ai dhe familja nuk ka marrë asgjë. Madje, për të përforcuar akuzën, Qiriazi përmendi edhe faktin se Bedulla i kishte dhënë prindërve të fëmijëve vetëm nga 5 mijë lekë (të reja), shumë që ua kishte marrë përsëri, kur ishte kthyer. Kurse për punën që fëmijët kishin bërë në Greqi, as familjet e tyre nuk morën asgjë.

Për prokuroren Qiriazi, Gjergj Bedulla e ka konsumuar tërësisht veprën e trafikimit të fëmijëve për qëllime përfitimi dhe kërkoi nga gjykata shpalljen e tij fajtor dhe dënimin me 10 vjet burg dhe 4 milionë lekë (të reja) gjobë.

Mbrojtja

Por mbrojtja, nga ana e saj, kërkoi për të arrestuarin pafajësi dhe lirimin e tij nga salla. Kjo pasi sipas avokatit, gjatë hetimit gjyqësor, të gjitha dëshmitë e organit të akuzës u hodhën poshtë, pasi policia ka përdorur dhunë ndaj minorenëve dhe familjarëve të tyre.

Sipas mbrojtjes, policia në mënyrë të jashtëligjshme ka mbajtur të izoluar tre minorenët për gati dyzet ditë, madje për fatin e tyre nuk dinin gjë as familjet e tyre. Kjo sipas mbrojtjes është shkelja e parë e organit të akuzës. Ndërkohë që si më flagrante ka cilësuar sigurimin e provës materiale të tre minorenëve. Minorenëve u janë arrestuar prindërit dhe hetuesit rrihnin prindërit e tyre në prani të fëmijëve, që minorenët të deklaronin siç donin hetuesit.

Bërja e çështjes publike, siç duket, ka ndikuar që Gjykata e Apelit e Korçës, të hedhë poshtë të gjitha provat materiale të grumbulluara nga organi i akuzës dhe të kërkonte rishqyrtim të kësaj çështjeje nga e para.

Kjo çështje është bërë problem edhe nga Grupi shqiptar i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Tiranë, duke e cilësuar si shkelje flagrante përdorimin e dhunës nga ana e policisë së Korçës.

Gjykata do të shprehet një javë më pas me vendim lidhur me akuzat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›