E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vrasësi i vëllait tim i lirë, s’më ngelet tjetër gjë veç vetëgjyqësisë”

06/05/2005  Artan Hysenaj denoncon indiferencën 8-vjeçare të policisë e prokurorisë

“Autorët e vrasjes së Maringlen Hysenajt, janë Hekuran Ziku dhe Eduart Laska, dy banorë të Skraparit, të cilët vëllai im po i ndihmonte për t’i shpëtuar nga një sherr dhe nga grabitësit në një lokal në qytetin e Çorovodës”

POLIÇAN – “Ka tetë vjet që më është vrarë vëllai nga persona, që unë i njoh, por që ia kam lënë gjyqin e vrasësve që t’ua bëjë shteti, duke shmangur vetëgjyqësinë. Por, edhe pse kanë kaluar kaq vite, ende askush nga policia apo nga prokuroria nuk më ka thirrur që të më tregoj se kush janë vrasësit e vëllat tim, apo t’i kapin dhe t’i vënë vrasësit para togave të zeza për t’i dënuar”.

Kështu e ka filluar rrëfimin e tij, për gazetën “Metropol”, Artan Hysenaj, para se të shkonte për të takuar prokurorin e rrethit të Skraparit, për vrasjen e të vëllait Maringlen Hysenaj, më 6 korrik të vitit 1997.

Sipas vëllait të viktimës, autorët e vrasjes janë Hekuran Ziku dhe Eduart Laska, dy banorë të Skraparit, të cilët Maringleni po i ndihmonte për t’i shpëtuar nga një sherr dhe nga grabitësit në një lokal në qytetin e Çorovodës.

Kur ka ndodhur vrasja e vëllait tuaj?

Ka ndodhur më 6 korrik të vitit 1997 në fshatin Çerenisht, 1 km mbi qytetin e Çorovodës, ndërsa zanafillën e ka në një lokal të qytetit.

Ju keni dijeni si ka nisur konflikti?

Me sa di unë, Maringleni ishte ulur në një lokal, në dalje të qytetit, tek axhencia, dhe po pinte kafe me shokët e tij. Më pas në lokal kanë ardhur edhe dy vrasësit e vëllait, Hekuran Ziku, tashmë i vdekur dhe Eduart Laska, që vazhdon të shëtis i lirë në kryeqytet, në Tiranë. Vëllai i kishte të njohur dhe i ftoj të uleshin në tavolinë për t’i qerasur për një kafe. Por pa kaluar as 20 minuta në lokal hynë dy persona me maska, të armatosur dhe filluan të terrorizonin klientët, duke u bërë kontroll. Gjatë kontrollit, grabitësit u gjetën “dy miqve”, dy armë, dy pistoleta, dhe në moment donin t’i vrisnin apo t’i terrorizonin, por vëllai im, Maringleni, ndërhyri dhe i shpëtoi të paktën keqtrajtimit apo terrorizimit që do t’i bënin dy grabitësit. Pasi u mërzitën, Maringleni i shoqëroi me një makinë, duke i përcjellë për t’i mbrojtur deri afër fshatit Çerenishtë. Atje ndodhi edhe vrasja.

Si ndodhi vrasja e vëllait tuaj?

Sapo vëllai zbriti nga makina, duke u thënë se tani duhet të jeni të kënaqur dhe u zgjati dorën për t’i takuar. Por në këtë moment, njëri prej tyre i ka kërkuar armën, automatikun, që vëllai mbante me vete kudo që shkonte, pasi atë vit të gjithë njerëzit ishin të armatosur dhe shumë banorë të qytetit apo të fshatit i mbanin armët me vete. Vrasësi sapo mori armën qëlloi drejt vëllait me një breshëri automatiku, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas çfarë ndodhi?

Më pas unë shkova në vendin e ngjarjes dhe mora vëllanë. Në fakt, mua më lajmëroi policia, dhe unë shkova për të marrë vëllanë. Në fillim, policia më tha se ai ishte plagosur, por më pas, kur shkuam në spital, policia më tha se është te morgu dhe e mora trupin e pajetë të vëllait. Ai kishte në trup 12 plagë, pra kishte marrë 12 plumba në trup. Pas varrimit të vëllait, unë shkova disa herë në polici për të kërkuar ndihmën e saj për të kapur vrasësit e vëllait, por ata nuk më tregonin se kush ishin vrasësit. Më pas, duke hetuar vetë, mësova se vrasësit ishin dy të përmendurit më lartë dhe unë për këtë jam shumë i bindur. Pasi hetova vetë, lajmërova policinë dhe i thashë se vrasësit e vëllait tim janë këta dy personat dhe po lëvizin të lirë, ndaj dua ndihmën tuaj për t’i kapur dhe për t’i vënë parë togave të zeza, për t’i dënuar.

Si reaguan nga ana e policisë?

Ka tetë vjet që më është vrarë vëllai nga persona që unë i njoh, por që ia kam lënë gjyqin e vrasësve që t’ua bëjë shteti, duke shmangur vetëgjyqësinë. Por, edhe pse kanë kaluar kaq vite, ende askush nga policia, apo nga prokuroria, nuk më ka thirrur që të më tregoj se kush janë vrasësit e vëllait tim, apo t’i kapin dhe t’i vënë vrasësit para togave të zeza, për t’i dënuar. Askush nuk më ka thirrur për të ma thënë të paktën një fjalë, qoftë kjo edhe akuzuese, madje nuk më ka thirrur as edhe prokurori i rrethit, ndërsa unë sa herë që ndërrohen prokurorët shkoj në prokurori dhe kërkoj ndihmën e tyre për kapjen e vrasësit të vëllait. Edhe këtë radhë për këtë kam ardhur nga emigracioni, të takoj prokurorin për t’i kërkuar që të kapin vrasësin e vëllait, që endet i lirë rrugëve të qytetit të Tiranës, ndërsa nëna ime qan në shtëpi për vëllanë tim, që kur u vra ishte vetëm 22 vjeç, dhe u vra vetëm pse i ndihmoj këta dy vrasës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›