Prokuroria, 35 vite burg nënë e bir, vranë ish–dhëndrin

06/05/2005 TIRANË- Megjithëse u mundua të marrë përsipër përgjegjësinë e vrasjes, Prokuroria nuk ishte dakord. Në konkluzionet përfundimtare të lexuara në seancën e djeshme gjyqësore, prokurori kërkoi dënimin e të pandehurës Shkurte Kozi me 15 vite burg dhe për djalin e saj, Lazim Kozi, me 20 vite burg. Quhet Shkurte Kozi dhe është 57 vjeçe. Duket fare e qetë prapa kafazit me hekura, edhe kur dëgjon fjalën e prokurorit që e deklaron fajtore. Në krah të saj qëndron edhe djali, vetëm 29 vjeç, Lazim Kozi. Kanë mbi shpinë akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Akuzohen se në bashkëpunim kanë vrarë shtetasin Selami Drizi. Sipas akuzës, të përfaqësuar nga prokurori Ardian Brahaj, viktima ka qenë në të njëjtin fshat me të pandehurit. Mes tij dhe vajzës së familjes Kozi, Sahade Kozi, ka patur një lidhje. Por kjo lidhje, edhe pse janë bërë përpjekje për t’u forcuar, nuk është pranuar nga familja e vajzës. Pas shumë përpjekjesh, viktima e ka marrë vajzën dhe është larguar për në Itali. Kanë qëndruar disa kohë dhe kur janë kthyer janë divorcuar. Edhe pse janë divorcuar, viktima ka vazhduar të ngacmojë vajzën e familjes Kozi. Kjo gjendje ka zgjatur për dy vjet rresht. Familja e vajzës nuk i ka duruar më fjalët e fshatit dhe vendos të shpërngulet në Babrru. Disa kohë kanë qëndruar të qetë, ndërsa morën vesh se ish-dhëndri i tyre ishte fejuar me një tjetër. Një ditë të bukur, më 27 mars të vitit 2004, ish–dhëndri është parë në afërsi të shtëpisë Kozi në Babrru. Akuza tha se këtë gjë e ka vënë re nëna e vajzës dhe vëllai i saj. Ata kanë vendosur ta vrasin. Lazim Kozi, sipas prokurorit, merr një armë në shtëpi dhe në afërsi të portës qëllon mbi viktimën tri herë. Më pas ka shkuar edhe nëna e vajzës, duke qëlluar një herë dhe duke e lënë të vdekur në vend. Por nëna ka marrë gjithçka përsipër. Ajo nuk pranon që djali të përgjigjet për vdekjen e Selami Drizit. Është shprehur se gjithçka e ka bërë vetë, pa u ndihmuar nga djali. Sipas deklarimeve të saj, djali e ka mësuar ngjarjen kur është marrë në polici.