E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vdes Feti Borova, plagosen dy të tjerë

06/05/2005  Rrëzohet makina e gjyqtarëve të basketbollit

POGRADEC - Është rrëzuar automjeti, me të cilin udhëtonin gjyqtarët e ndeshjes së basketbollit për femra, midis Skënderbeut të Korçës dhe skuadrës së Vlorës, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë, gjyqtari Shefqet Bekteshi, 47 vjeç dhe Gentjan Dumba, 21 vjeç. Por fatkeqësisht rrëzimi i automjetit ka përfunduar me vdekjen e 70-vjeçarit Feti Borova, i cili udhëtonte me të njëjtin automjet.

Ngjarja

Pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit për femra në qytetin e Korçës, Bekteshi, Dumba dhe Borova janë nisur nga qyteti i Korçës në orën 18.15 minuta. Ky fakt është pohuar nga burime pranë drejtuesve të ekipit të Skënderbeut. Udhëtimi i tre gjyqtarëve do të përfundonte në Pogradec, bëjnë të ditur burimet, pasi të nesërmen do të ishin sërish të pranishëm në qytetin e Korçës, pasi kishin për të arbitruar një ndeshje tjetër të radhës. Te kthesat e Grabovicës, vend ky që ndodhet mes Korçës dhe Pogradecit, automjeti tyre është rrrëzuar pa pritur dhe për pasojë ka humbur jetën 70-vjeçari Feti Borova, ndërsa ende ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore Bekteshi dhe Dumba.

Policia

Sipas informacioneve të para nga Drejtoria e Policisë së Qarkullimit, e cila është gjendur mjaft shpejt në vendin e ngjarjes, është pohuar se kanë mbetur të plagosur dy personat e sapocitur dhe njëkohësisht ka vdekur 70-vjeçari Feti Borova. Sipas të njëjtave burime, automjeti me të cilin udhëtonin gjyqtarët e ndeshjes, është gjetur mjaft e dëmtuar, çka ka sjellë dhe fatkeqësinë e tre personave. Për momentin nuk janë bërë të ditura rrethanat, në të cilat u rrëzua automjeti tip benz i gjyqtarëve. Burime të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës bëjnë të ditur se është ngritur grupi hetimor për zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›