E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fillon gjykimi i dytë për Jaho Mulosmanin

06/05/2005  TIRANË- I dënuar tashmë për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, me burgim të përjetshëm, Jaho Mulosmani duhet të përgjigjet edhe për një akuzë tjetër të rëndë. Dosja penale me emrin e tij, pasi u end nëpër disa gjykata, më në fund arriti në zyrën e gjyqtarit Artur Gaxhi. Dje i pandehuri nuk pranoi të vinte nga burgu i Burrelit, duke u shprehur se dëshiron të përfaqësohet në seancë nga avokati i tij mbrojtës Vladimir Meçi. Por, edhe Meçi nuk u paraqit. Në këto kushte, gjyqtari Artur Gaxhi shtyu gjyqin për një datë tjetër. Mulosmani, nëpërmjet avokatit, kishte kërkuar të gjykohej nga një tjetër rreth gjyqësor, pasi në Gjykatën e Tiranës u dënua me burgim të përjetshëm. Kërkesa nuk u mor parasysh nga Gjykata e Lartë. Ndërsa vetë Jaho Mulosmani është shprehur nëpërmjet avokatit se nuk do të paraqitet asnjëherë në seancë gjyqësore. Jaho Mulosmani akuzohet se, në vitin 1999, me armën që qëlloi mbi Azem Hajdarin, ka qëlluar edhe mbi dy qytetarë të Tropojës. Isuf Bashkurti dhe Bislim Hyka, janë vrarë më 4 gusht të vitit 1999 në qendër të Tropojës. Autori i këtyre vrasjeve është zbuluar vetëm pas kryerjes së aktit të ekspertizës për gjurmët e gishtave që u gjetën në armët e krimit. Në dosje thuhet se arma me të cilën u vranë Isuf Bashkurti dhe Bislim Hyka, më parë vrau Azem Hajdarin dhe është përdorur nga Jaho Mulosmani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›