Atentat në Elbasan, qëllohet me pistoletë biznesmeni
Fatos Balla është qëlluar nga një 32-vjeçar, ndërsa policia i cilëson shkaqet si banale
ELBASAN - Pusi pranë pallatit të tij në ndërtim një biznesmeni në Elbasan. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:45 në rrugën "Rinia". Shtetasi Ahmet Zena, 32 vjeç, ka qëlluar me armë ndaj shtetasit Fatos Balla rreth 40 vjeç, i cili në atë çast ndodhej në pallatin në ndërtim në pronësi të tij.
Burime nga policia bëjnë të ditur se 32-vjeçari ndodhej në automjetin tip "Benz" me targë MG VL 44 dhe pasi ka zbritur nga automjeti ka qëlluar në drejtim të Ballës. Por pistoleta ka shkrepur vetëm një herë dhe më pas është bllokuar. 40-vjeçari është shmangur dhe plumbi e ka marrë në njërën këmbë.
Zena ka tentuar të qëllojë sërish, por ka qenë e pamundur. Atëherë ai ka hedhur armën në një pus në afërsi të pallatit dhe është larguar në këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke braktisur edhe mjetin tip "Benz".
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie. I pranishëm në operacion ka qenë edhe drejtori i policisë së qarkut, Aleks Hajdari. Pas punës së shpejtë operative, policia ka identifikuar autorin e atentatit dhe e ka shpallur atë në kërkim. Operacioni ka vazhduar me bllokimin e zonës përreth dhe duke vendosur postblloqe në rrugët hyrëse dhe dalëse të Elbasanit.
Ende nuk dihen shkaqet e këtij atentati. Sipas drejtorit të policisë, Aleks Hajdari, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Megjithatë, janë ngritur disa pista hetimi. Në cilësinë e provës materiale është bllokuar arma e zjarrit dhe automjeti tip "Benz". Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Elbasanit. Policia po punon për kapjen e Ahmet Zenës.