E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentat në Lezhë, eksploziv hotel-karburantit të policit

Konkurrencë apo detyrë.
Kjo është dilema për
policinë e Lezhës në hetimet
për një ngjarje të
rëndë, që ka ndodhur mëngjesin
e djeshëm. Persona të paidentifikuar
kanë shpërthyer një
sasi eksplozivi në një hotel dhe
karburant, që është në pronësi
të një punonjësi policie. Biznesi
dhe funksioni i të dëmtuarit kanë
bërë konfuz grupin hetimor, i
cili po mundohet të zbardhë
këtë ngjarje, që fatmirësisht nuk
ka sjellë viktima në njerëz dhe
ka shpëtuar nga një tragjedi e
mundshme.
Shpërthimi
Objektivi kryesor i këtij atentati
mendohet të ketë qenë karburanti
"Paluca", ngjitur me të cilin
ndodhej edhe hoteli me të njëjtin
emër. Ato i përkasin Gjovalin
Palucës, 45 vjeç, i cili aktualisht
është punonjës rendi në Komisariatin
e Policisë së Lezhës.
Burimet policore lokale bënë të
ditur se për këtë ngjarje është
regjistruar pak pas mesnate. Sipas
informacioneve nga Drejtoria
e Policisë së Lezhës, rreth orës
02:30, te hotel-karburant "Paluca"
ka ndodhur një shpërthim. Me
t‘u njoftuar, shërbime të shumta
të uniformave blu janë nisur për
në vendin e ngjarjes, duke u vënë
në dijeni se ajo ishte pronë e një
kolegut të tyre. Shumë shpejt zona
është rrethuar dhe disa mjete që
lëviznin në orët e vona të natës
janë ndaluar dhe verifikuar. Sipas
policisë, hotel-karburanti ndodhet
në superstradën Lezhë-Laç,
pikërisht në afërsi të fshatit Rrilë.
Vendngjarja
Me të mbërritur në vendin
e ngjarjes, policia është vënë
në dijeni se fatmirësisht nuk
ka pasur viktima dhe kështu ka
organizuar punën për shuarjen
e zjarrit. Më pas, grupi i punës
ka rrethuar zonën e dëmtuar dhe
ka identifikuar vatrën e shpërthimit.
Burimet nga grupi hetimor
thanë për "Shqip" se në ambient
të hapur, pranë ndërtesës ishte
vendosur një sasi e konsiderueshme
eksplozivi, që paraprakisht
mendohet të ketë qenë tritol.
Nga provat e gjetura në vendin
e ngjarjes, pikërisht disa copa
fitili është zbuluar se eksplozivi
mund të jetë vendosur dorazi
ose është hedhur nga një largësi
e afërt. Për të dokumentuar këtë
ngjarje, policia ka marrë në pyetje
edhe punonjësit e karburantit,
në lidhje me lëvizjet e fundit.
Por, dëshmitarët nuk kanë mundur
të identifikojnë asnjë mjet
lëvizës, kështu që kanë lindur
dyshimet se autori ose autorët
mund të jenë larguar nëpër arat
që ndodhen në pjesën e pasme të
hotel-karburantit.
Hetimet
Ndërkaq, grupi hetimor
dyshon se aty mund të jetë përdorur
një sasi prej rreth 200 gramësh
tritol, që do të kishte sjellë një
tragjedi të vërtetë. Policia shpjegoi
se në këtë rast ka ndihmuar
fati, pasi rrezja e shpërthimit
nuk ka qenë në drejtim të pompave
të karburantit. Megjithatë,
më shqetësues për policinë ka
mbetur motivi i kësaj ngjarjeje,
që mund të çojë në identifikimin
e autorëve të mundshëm të saj.
Për këtë janë ngritur dy pista
hetimore. E para ka të bëjë me
atë të konkurrencës, pasi vitet e
fundit janë shtuar shumë karburante
në superstradën Lezhë-Laç.
Ndërsa dyshimi tjetër ka të bëjë
për funksionin që ka pronari i
karburantit. Prej vitesh, pronari
i kësaj pike punon në Policinë e
Shtetit. Për këtë, ai është marrë
në pyetje në lidhje me dyshimet
mbi shpërthimin, por ka deklaruar
se nuk ka konflikte dhe emra
të personave konkretë, që mund
të kenë kryer këtë atentat ndaj tij
dhe biznesit të tij.
Dëmet
Pas mbledhjes së provave në
vendngjarje, policia ka përllogaritur
edhe dëmin e shkaktuar
nga ky atentat, i cili është relativisht
jo i vogël. Sipas policisë,
shpërthimi ka sjellë pothuajse
thyerjen gjithë xhamave të hotelit,
ndërkohë që janë dëmtuar edhe
disa mobilie brenda dhomave.
Pjesa më e dëmtuar i përket katit
përdhes. Në momentin e ngjarjes,
në hotel ka pasur disa njerëz veç
stafit të punëtorëve, por të gjithë
kanë shpëtuar paq. Fatmirësisht,
klientët kanë qenë në anën tjetër
të hotelit dhe nuk janë prekur nga
rrezja e shpërthimit. Megjithatë,
policia nuk ka dhënë një numër
të saktë të klientëve në këtë hotel,
por shpjegoi se ka shoqëruar disa
persona për zbardhjen e plotë të
kësaj ngjarjeje kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›