E Diel, 1 Nëntor 2026

Zani Çaushi: Si kanë vrarë të tjerët në emrin tim

Në emrin tim kanë vrarë persona
të tjerë. Armando
Grabova është njeriu që ka
ekzekutuar në Vlorë shumë
djem nënash. Ky ka vrarë në emrin tim
dhe tani ndodhet i lirë". Deklarata është
bërë nga Zani Çaushi, një nga krerët
e bandave kriminale në Vlorë gjatë vitit
1997. Dje, në Gjykatën e Tiranës,
prokuroria kërkoi dënimin e tij me 25
vjet burg, pasi me bandën e tij ka kryer
shumë vrasje dhe ekzekutime. Para se
prokurori të jepte konkluzionin përfundimtar,
i dënuari me burgim të përjetshëm
ka zgjedhur si strategji mbrojtjeje
akuzat ndaj personave që janë në liri.
"Unë i kundërshtoj me përbuzje të
gjitha akuzat e organit të prokurorisë...",
ishte lajtmotivi i tij.
Rrëfimi
Nuk kam kryer krime në vitin 1997,
por kam mbrojtur Vlorën nga personat
e armatosur. Ishte një vit i mbrapshtë,
ashtu si e dini edhe ju dhe për këtë
qëllim mora përsipër të mbroja qytetin
tim. Unë nuk kam vrarë njeri. Të tjerët
kanë vrarë në emrin tim dhe tashmë
jam unë ai që vuan pasojat e krimeve
të kryera me barbarizëm. Të gjithë ata
që kanë dëshmuar kundër meje kanë
qenë nën presion, pasi kurrë nuk kam
vrarë njeri dhe nuk kam dhënë urdhër
për këtë gjë", mësohet se ka deklaruar i
forti i Vlorës. Më tej ka shtuar se nuk ka
dhënë urdhër për të vrarë asnjë person
në Vlorë. "Armando Grabova është njeriu
që ka vrarë në Vlorë shumë djem
nënash. Prokuroria dhe policia e dinë
shumë mirë se ku ndodhet Grabova
dhe për këtë arsye duhet ta arrestojnë.
Por ato duket se po bashkëpunojnë me
krimin. Unë mund të marr përsipër ato
gjëra që kam bërë, por në asnjë mënyrë
nuk kam dhënë urdhër për të vrarë", ka
qenë deklarimi i bërë dje para gjykatës
nga Myrteza Çaushi, i cili mendohet se
është një nga autorët e shumë vrasjeve
në Vlorë, për një periudhë të gjatë. Zani
i Vlorës e ka nisur aktivitetin e tij kriminal
pas ndarjes me Gaxhain. Vrasja e
një shoku të Gaxhait bëri që lufta të fillonte
dhe bashkë me të edhe ndarja e
zonave të influencës.
Banda
Brenda konkluzioneve prokurori lexoi
të gjithë veprimtarinë e grupit të përbërë
prej më shumë se 115 të pandehurish
pjesa më e madhe e të cilëve tashmë
janë të vdekur. Në gjykim ndodhen
vetëm të pandehurit Zani Çaushi dhe
miqtë e tij Hair Hiraj, Pëllumb Bajrami,
Renato Çerçizi, Skerdian Bajrami dhe
Dorian Saliu. Mbi supet e tyre rëndojnë
akuzat e vrasjes së Bernard Duçkës, Niko
Borakut dhe vëllezërve Neritan e Edmond
Dednika, si dhe rrëmbimin e Artur
Gjoshit, Pëllumb Petritit, Foto Kolës
dhe Sokol Kamberit.
Prokuroria i drejtohet edhe një herë
gjykatës për të shpallur fajtor Myrteza
Çaushin për ngjarjet e vitit të tmerrshëm
1997 në Vlorë. Edhe pse nuk ka pranuar
akuzat, prokuroria e ka deklaruar fajtor
dhe ka kërkuar dënimin me 25 vjet për
Zani Çaushin. I gjithë grupi mori nga 25
vjet burg, ndërsa prokuroria kërkoi për të
pandehurin Hair Hiraj vetëm me 5 vjet
burg për armëmbajtje pa leje. Myrteza
Çaushi është dënuar me burgim të përjetshëm
për veprën penale të vrasjes së
dyfishtë në qytetin e Vlorës, vetëm pak
muaj pasi u lirua në datën 22 mars 1999,
nga gjyqtari Martin Deda. Të gjitha
akuzat për vrasje në vitin 1997 dhe urdhrat
që mund të ketë dhënë, i ranë në vitin
1999. Gjykata arriti të vërtetonte dhe ta
dënonte Myrteza Çaushin vetëm për veprën
penale të armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›