Autostrada shkatërron shtëpitë e banorëve
MIRDITË- Shpërthimet që bëhen gjatë punimeve për hapjen e trasesë së autostradës në segmentin Rrëshen-Kalimash kanë sjellë situata alarmuese për banorët e disa fshatrave të Mirditës. Kështu plasjet e bëra pa kalkulimin e tyre në masën e përcaktuar nga specialistët që merren me këtë proces kanë sjellë dëmtimin e shumë shtëpive por mbi të gjitha rrezikimin e jetës së banorëve dhe kryesisht të fëmijëve që banojnë aty. Në fshatin Gëziq, ditët e fundit janë shënuar dëmtime të mëdha në disa banesa kur nga shpërthimi i një sasie dinamiti prej 2 tonësh, një rrebesh gurësh ka fluturuar mbi këto banesa duke iu shkatërruar çatitë, tavanet dhe pjesët e tjera brenda si dhe orendi e të tjera gjëra madje duke u rrezikuar jetën bujtësve të tyre. Sipas banorëve askush nuk i kishte njoftuar për një shpërthim të tillë të fuqishëm që të paktën të largonin fëmijët nga shtëpia.
Nga kjo batërdi gurësh më i rrezikuari ka qenë një fëmijë i moshës 3 vjeç teksa pak centimetra larg tij në krevatin ku flinte dje rreth orës 12.00 ka rënë një gur i madh. Ngjarja ndodhi në shtëpinë e Nikoll Kolës. Familjarët thanë se guri ka çarë më parë çatinë, tavanin dhe ka rënë afër djalit që ishte në gjumë. Vetëm fati ka qenë me të, ndërsa të alarmuar ata e kanë marrë fëmijën menjëherë për ta nxjerrë jashtë, por kur kanë dalë në oborr janë habitur më shumë pasi i tërë oborri i shtëpisë ishte mbushur me dhjetëra gurë të përmasave të mëdha. E njëjta situatë shihej në shumë banesa të tjera si tek e Ded Tucit, Tonin e Nikoll Kola, ku janë dëmtuar çati, tavane, orendi shtëpiake e sende të tjera që u nevojiten për jetesë. Banorët e këtij fshati i janë ankuar firmës ndërtuese, por nuk kanë marrë asnjë reagim pozitiv, ndërsa kanë shkruar shqetësimin e tyre me një peticion pranë autoriteteve vendore. “Siç e shikoni, një ditë pas shpërthimit shtëpia ime është thuajse e shkatërruar që nga çatia, ndarjet brenda të dhomave, tavanet dhe janë prishur disa orendi. Gurët kanë rënë edhe në oborr dhe në kasollen e bagëtive, i shihni i kam grumbulluar këtu në oborr, për ta parë realisht kërcënimin, pasi këta të firmës nuk kujtohen se kanë përgjegjësi ndaj jetëve tona”,- thotë Nikoll Deda. I biri, Marjani thotë se ka qenë ora 12.00 e një ditë më parë kur u dëgjua një sirenë alarmi pa u thënë se çfarë po ndodhte. Kur ata kanë dalë jashtë kanë parë “shiun” e gurëve që binin nga qielli. Ndërkohë një tjetër banor, Ded Tuci pohon se shpërthimet në këtë zonë janë bërë pothuajse të përditshme dhe askush nuk mund të jetojë më aty.