E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat në mes të Shkodrës, vritet në pritë 27-vjeçari

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Atentat një të riu në Shkodër sapo doli nga banesa. Olsi Curri u vra në lagjen "Skënderbeg" mbrëmë rreth orës 19:30 minuta, ndërkohë që viktimë e kësaj prite ishte edhe një 31-vjeçare, e cila u ndodh rastësisht në vendin e ngjarjes. R. Pali përfundoi në spital me një plumb në krah, ndërsa u ndodh në një dyqan pak metra larg vendit të ngjarjes. Policia e Shkodrës mbërriti menjëherë në vend, por deri mbrëmë vonë, autorët ishin të paidentifikuar. Sipas burimeve, Olsi Curri, 27 vjeç u ekzekutua në vendin e quajtur kryqëzimi tek "Prek Cali". Kalimtarët e rastësishëm të cilët janë bërë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje kanë dëgjuar të shtëna arme njëra pas tjetrës, e më pas një mjet është larguar me shpejtësi. Sipas dëshmisë së tyre dhënë në polici, mjeti i është afruar viktimës që po ecte i vetëm, duke e qëlluar disa herë. I riu ka rënë menjëherë përdhe, ndërsa është mbuluar me gjak. Megjithëse vendi ku ndodhi ngjarja ishte fare pranë spitalit të Shkodrës, 27-vjeçari Curri nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve duke vdekur gjatë rrugës. Banorët e lagjes "Skënderbeg" janë terrorizuar nga të shtënat dhe njoftuan menjëherë policinë. Grupi i hetimit mbërriti në vend nga ku ekspertët e kriminalistikës gjetën 5 gëzhoja. Sipas burimeve, ngjarja po hetohet, por deri më tani mbetet e mistershme për shkak se i riu nuk rezulton të ketë pasur konflikte me persona në Shkodër. Blutë nuk kanë mundur ta gjejnë emrin e tij të memorizuar në listën e personave me precedentë apo problematikë në qytet. Gjithsesi, sipas ekspertëve, dyshohet se atentatorët dhe viktima të kenë pasur përplasje të forta. Kjo nisur edhe nga numri i gëzhojave, ku evidentohet qartë se autorët kanë dashur ta eliminojnë atë me çdo kusht. Policia shoqëroi 10 persona, disa prej të cilëve dëshmitarë, e të tjerë si të dyshuar se mund të kenë dijeni apo lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, blutë e Shkodrës ngritën mbrëmë disa postblloqe në të gjithë pikat e hyrjeve dhe daljeve të qytetit me qëllim arrestimin e autorëve, të cilët dyshohet të kenë qenë të paktën dy vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›