U sulmua me kaçavidë, humb jetën në spital 18-vjeçari
DURRES- Jeta e të riut durrsak Andi Hyseni është shuar në mënyrë tragjike, pak ditë pas sherrit me mjete të forta në të cilin u përfshi viktima dhe dy adoleshentë të tjerë. Viktima 18-vjeçar kishte pësuar goditje të rënda me kaçavidë në kokë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Durrësit, dhe më pas atyre të Tiranës, i riu mbijetoi vetëm 48 orë, për t'u shuar më pas nga dëmtimet e pariparueshme në organet jetësore. Vrasja ka alarmuar policinë e Durrësit, e cila është vënë në kërkim të personit të tretë, që mendohet se u përfshi në sherr për të ndihmuar Hysenin. Shënjestër e goditjeve me thikë ishte shtetasi 19-vjeçar Ramazan Grota. Për të qëlluar mbi të, Hyseni duket se ka pasur edhe mbështetjen e personit, të cilin policia nuk e ka identifikuar akoma, pasi pas ngjarjes asnjë nga personat e përfshirë në përleshje nuk ishte në gjendje të deponojë. Ngjarja ka ndodhur më 12 tetor, rreth orës 13 e 20 minuta, në lagjen nr. 4 të Durrësit, pranë kryqëzimit të shkollës "Bedrie Bebeziqi". Tre të rinj durrsakë, Hyseni, Grota dhe një tjetër person i paidentifikuar, që mbante anën e Hysenit, janë përleshur me thika dhe kaçavida, pas një sherri që mendohet se ka nisur për një vajzë. Pasi ka pësuar disa goditje me thikë, 19-vjeçari Grota nxjerr nga brezi kaçavidën duke e dëmtuar në kokë Andi Hysenin, plagë të cilat i shkaktuan edhe vdekjen.