Si dështoi atentati ndaj Lul Berishës
Për 6 orë të tjera Gjykata për Krimet e Rënda dëgjoi dje vazhdimin e dëshmisë së Adriatik Colit, të penduarit të "Bandës së Durrësit". Procesi në ngarkim të së akuzuarve si anëtarë të kësaj bande, i dalë nga "ngërçi" pak ditë më parë vijoi me marrjen e deklarimeve të Adriatik Colit mbi disa atentate të bëra ndaj Lulzim Berishës, i akuzuar si një nga drejtuesit e bandës. Burime pranë seancës me dyer të mbyllura, pohuan se seanca ka rrjedhur normalisht, me përjashtim të disa momenteve debati mes palëve. Mësohet se shkak për replika ka qenë përmendja e disa emrave prej të penduarit, emra të cilët sipas avokatëve nuk kishin lidhje me gjykimin. Në seancën e djeshme i penduari Coli ka dëshmuar për tentativat për eliminimin fizik të Lulzim Berishës nga kundërshtarët, pas ndarjes së bandës në dy pjesë. Gazeta "Panorama", publikon dëshminë e dhënë nga Coli në hetimet paraprake:
Atentatet ndaj
Lul Berishës
"Luli, 4-5 ditë para vrasjes së Klodian Saliut kishte shkuar në Turqi dhe erdhi të nesërmen e varrimit të Klodit. Me Indritin, blemë një makinë "Wolswagen Passat", të cilën do ta përdornim për vrasjen e Lul Berishës. Kjo makinë ishte pa targa dhe ishte e vjedhur jashtë shtetit. Makina kishte ngjyrë ulliri të hapur. Indriti, nëpërmjet shoqërisë së vet thirri për të kryer vrasjen e Lul Berishës, dy persona nga Burreli njëri me emrin Ervin dhe tjetri Alban. Dy personat nga Burreli, Indritit ia gjeti Altin Olloni, që banon në komunën e Parisit Tiranë. Në fillim, erdhi Altini në Durrës që takoi Indritin dhe ne u takuam tek shtëpia e Altinit. Tek shtëpia e Altinit, i thamë të na gjejë dy persona dhe do t'u jepnim nga 100 mijë euro për vrasjen e Lulit. Dua të them se Indriti ka qenë shok që shumë kohë më parë me Altin Ollonin. Altini i tha: "I gjej unë". Unë mora një shtëpi me qira në qytetin e Durrësit, tek muzeumi i Dëshmorëve, nëpërmjet agjencive që merren me dhënien e shtëpive me qira. Kjo shtëpi është në katin e tretë të një pallati 5-katesh, përballë ish-punishtes dhe lekët i kam paguar me faturë për 6 muaj. Këtë shtëpi do ta përdornin Ervinin dhe Albanin. Këto të dy kanë ardhur 2-3 ditë para të 40-ve të Klod Saliut dhe i solli Indriti tek shtëpia që i zumë me qira. Kur erdhëm tek shtëpia me qira shkuam unë me Indritin dhe këta të dy. Indriti u tregoi të gjitha fotografitë e Lulit që kishim dalë në kohën kur ishim bashkë. Atë natë bëmë plane se si do të qëllojmë Lulin. Armët i morëm te shtëpia e Klodit dhe u dhamë dy automatikë "Skorpions" me numra të fshirë, një pistoletë dhe një pistoletë të vogël, të gjitha me silenciator. Ne bëmë plane që të vrisnim Lulin, tek lokali i tij "C'era una Volta". Unë i mora dy çunat dhe i dërgova nëpër rrugica deri te lokali i Lulit natën dhe u tregova vendin kur lokali ishte i mbyllur. Ata e kontrolluan vendin dhe e shëtitën në këmbë për ta njohur më mirë. Ata nuk kishin qenë asnjëherë në Durrës. Ata kërkuan dhe shofer për të drejtuar makinën, pasi nuk njihnin qytetin. Indriti u interesua për shofer dhe G.Q., që është nga Spitalla një shok i Indritit na dërgoi kunatin e tij nga Ferma e Sukthit, të cilit i kishte marrë motrën për grua. Ne i thamë G., se na duhet për të drejtuar makinën që do përdorim për vrasjen e Lulit dhe do i japim 20 mijë euro. Shoferi erdhi pasi kishte bërë muhabetin me Gazin dhe ishte dakord. Ditën ku u mbushën të 40-at nga vrasja e Klodit, Ervini, Albani dhe shoferi u nisën për të vrarë Lulin. Shkojnë me makinën që e blemë dhe me targa gjermane false, që ia ka dhënë R. Xh., vëllai i I. Xh., me një djalë që e ka emrin Besnik që e arrestoi policia për këtë ngjarje. Indritin një ditë para të dyzetave të Klodit thirri në telefon R. Xh dhe i dha çelësat e makinës "Passat" që ndodhej të shtëpia me qira te Muzeumi dhe i tha: "Ik laje!". I dhamë targat gjermane dhe i thamë t'ia vinte. Atyre nuk u treguam asgjë për punën që do të qëllonim Lulin. Albani dhe Ervini, pasi shkuan tek lokali zbritën dhe po shihnin për Lulin. Në atë moment Luli ishte futur tek bashkia. Në ato momente, ata për të mos rënë në sy që po prisnin Lulin hynë në makinë dhe filluan të bëjnë xhiro për rreth bashkisë, aty i kapi një polici i qarkullimit. Ai u sheh armët dhe u thotë të ndalojnë. Ata i thanë që t'i linte të largoheshin se do t'i jepnin edhe lekë. Por polici rrugor nuk pranoi dhe lajmëroi me radio policinë. Në këtë moment këta lanë armët dhe ia mbathën. Kjo punë dështoi. Këta çunat morën në telefon Indritin dhe i treguan për këtë punë. Dua të theksoj se armët që i lanë në makinë çunat ishin të pastra, pra nuk ishin të përdorura më parë në ndonjë rast tjetër, pasi ne nuk mbanin armë të pista në shtëpi, që mos të kishim probleme. Pas të dyzetave, Indriti fjeti te shtëpia ime dhe të nesërmen nisemi për në Tiranë. Atje takuam Altin Ollonin te lokali "01" te Komuna e Parisit dhe i themi këtu-këtu puna dhe kemi ndenjur 20 ditë te shtëpia e Indritit. Gjatë këtyre ditëve, ne rrinim me Altin Ollonin. Atje unë mora një shtëpi me qira dhe Indriti zuri një dashnore D.K., rreth 30 vjeç dhe rrinte te shtëpia e D., me qira. Indriti pagoi lekët për 6 muaj. Te shtëpia që mora unë, linim armët, ndërsa flinim tek shtëpia e D. Gjatë kësaj periudhe nuk shkonim fare në Durrës me qëllim që Luli të dilte lirshëm. Gjatë kësaj kohe që takoheshim me Altinin dhe jemi takuar dhe me Albanin e Ervinin nga Burreli. Ne po bisedonim që na duhej një djalë tjetër për të vrarë Lulin. Ata thanë që e gjejmë ne personin. Ky person erdhi te shtëpia me qira që i morëm D. Ky djalë quhet Sela, të cilin po ta shikoj e njoh. Tek shtëpia isha unë me Indritin, Albanin, Ervinin, Altin Ollonin dhe Selën që ramë dakord që të bëhej vrasja për shumën prej 150 mijë euro. Dua të them se këto lekët i kishim futur në punë për të vrarë Lulin dhe i fituam pasi nisëm një dërgesë prej 20 kg heroinë nga Kosova për në Itali. Transportuesin e drogës e gjeti Indriti dhe ai ishte një kosovar. Drogën në Itali e priste E.C., nga Spitalla dhe ai na dërgoi rreth 180 mijë euro. Këto para, 100 mijë shkuam e i morëm tek shtëpia e Ervinit dhe 80 mijë eurot e tjera i morëm më vonë. Dua të them se E.C., erdhi vetë tek ne pas vrasjes së Klodit dhe na kërkoi të punonte me ne. Drogën ai e priste në qytetin e Peskarës në Itali. Ndërkohë, në kohën që qëndronim në Tiranë, së bashku me Indritin kemi bërë edhe dy a tre rrugë tjera me drogë. Droga ishte e pastër dhe ne pasi e blinim, e shtonim duke e përzier. Nga kjo punë që është bërë kemi fituar 600 mijë euro të thata.
Një javë rresht, Sela së bashku me Ervinin dhe Albanin kanë ruajtur Lulin për ta vrarë tek lokali i tij tek fermentimi. Pamë se ata nuk po arrinin ta qëllonin Lulin. Të nesërmen niset Sela me Ervinin për në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Ata morën nga një pistoletë, Sela kishte një pistoletë tip "Glock", ndërsa Ervinit nuk ia mbaj mend llojin. Në Durrës shkuan me furgon. Aty rreth orës 10:00, Luli del nga shtëpia. Ervini që po e ruante tek polici që rri në kryqëzim, i lajmëron Selës që po e priste tek stacioni i trenit se "Benz"-i i Lulit është duke ardhur. Luli afrohet para lokalit të tij, zbret nga makina dhe po bënte shaka me I. Morinën dhe me një tjetër me mbiemrin Haxhiaj. Sela ishte në trotuarin përballë lokalit dhe afrohet avash-avash pranë Lulit. Kur i afrohet, rreth dy metra pranë tij e nxjerr pistoletën, e mbush ia drejton Lulit për ta qëlluar. Në fillim qëllon I. M. Në atë moment fut dorën në brez ai që e kishte mbiemrin H. dhe Sela e qëllon edhe atë dhe vazhdon duke qëlluar në drejtim të Lulit. Luli rrëzohet në tokë dhe në këtë moment, pistoleta e Selës ngeci dhe nuk mund të qëllonte më. Pastaj Sela iku me vrap dhe Luli thërret me të madhe "oj none, oj none". Sela pas kësaj ikën dhe vjen në Tiranë dhe u takuam me të tek shtëpia e D. Ne e pyetëm se si ndodhi ngjarja dhe ai na tregoi gjithë ngjarjen, siç e thashë më sipër. I thamë nëse e kishte vrarë, por ai na tha se nuk e kishte vrarë dot. Atëherë ne i dhamë atij 25 mijë euro dhe Selën e nisëm për në Burrel. Në darkë shkuam tek shtëpia e Indritit. re.kro.
Frikë për atentat, blindohet gjykata
TIRANE - Gjykata e Tiranës është blinduar dje para zhvillimit të seancës gjyqësore për anëtarët e Bandës së Durrësit. Nga momenti kur i penduari Adriatik Coli ka nisur të flasë gjykata është "blinduar" nga forcat policore për garantimin e jetës së të penduarit, si edhe mbarëvajtjen e procesit. Ditën e djeshme, përpara se të fillonte seanca gjyqësore, një grup i forcave antieksploziv dhe kundër akteve terroriste kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në të gjitha ambientet e gjykatës. Bëhet e ditur se kontrolli që ka zgjatur rreth dy orë, ka kaluar në "sitë" çdo cep të godinës së gjykatës dhe se për të janë përdorur edhe qentë nuhatës antieksploziv. Gjithashtu, në mbështetje të uniformave blu të gjykatës dhe efektivëve specialë ka qenë edhe një numër oficerësh civilë. Agjentë civilë të njësisë së vëzhgimit mbajnë në survejim çdo lëvizje rreth gjykatës, si edhe hyrje-daljet brenda saj. Po ashtu, mësohet se edhe eskorta e specialëve që sjell Colin nga vendstrehimi i tij sekret në gjykatë ka pasur shtim në numër efektivesh. Burime policore, bëjnë të ditur se kontrolli antieksploziv do të përsëritet edhe përpara seancave të ardhshme në ngarkim të bandës. ar.ba