Atentat në qendër të Lezhës, plagoset 40-vjeçari
LEZHE- Një 40 vjeçar është plagosur me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë në një atentat të ndodhur në qendër të qytetit të Lezhës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se shtetasi Tonin Preka, 40 vjeç është qëlluar me disa plumba pistolete nga një person, i dyshuar si shtetasi Edmond Gjoka. Policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje ndaloi 37-vjecarin, i cili më pas është marrë në pyetje nga policia. I plagosuri Tonin Preka nga Lezha është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. 37-vjeçari i arrestuar si autor i kësaj vrasjeje të mbetur në tentativë nuk ka dhënë ndonjë version për motivet e plagosjes me armë zjarri. Ndaj tij kanë nisur procedurat hetimore pasi akuzohet për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”.
Gjuante peshk me korrent, vdes 45-vjeçari
DURRËS - Një 45-vjeçar humbi jetën dje pasdite në grykëderdhjen e Erzenit, në rrethin e Durrësit teksa po gjuante peshk. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Avni Metushi. Sipas burimeve, ai po peshkonte, por papritur ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Trupi i tij është shoqëruar nga uniformat blu drejt morgut të qytetit. Vetëm gjatë këtij viti janë shënuar disa raste të vdekjeve aksidentale nga shtetas që peshkojnë duke përdorur rrymën elektrike.
Ndalohet 26 vjeçari, kërkohej për tentativë vrasje
DURRËS - Policia e Durrësit ndaloi të enjten një 26 vjeçar të shpallur në kërkim pesë vjet më parë për tentativë vrasje. Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e kufirit dhe migracionit thanë se "shtetasi Leonard Musaj, 26 vjeç, lindur ne Elbasan e banues në Cërrik u identifikua në pikën e kontrollit kufitar të portit, pasi mbërriti me traget nga Bari (Itali)". Mësohet se 26 vjeçari Musaj ishte shpallur në kërkim pasi në bashkëpunim me shtetasin Elton Xhelili ka tentuar te vrasë me armë zjarri një bashkëqytetarin e tij. Po sot paradite, gjatë kontrollit të dokumenteve të udhëtarëve që mbërritën nga porti italian i Barit, u identifikua dhe 25 vjeçarja Anila Tuci, lindur në Laç dhe banuese në Laprakë, e larguar nga banesa që në korrik të vitit 2007.
19 Shtator 2008