E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet dhuna në familje, dy raste denoncimi për bashkëshortët



DURRËS – Brenda pak orësh janë regjistruar dy denoncime ndaj bashkëshortëve të tyre nga femra, familjet e të cilave banojnë në zonat informate në periferi të Durrësit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se kanë mbërritur dy kallëzime në komisariatin e policisë nga dy shtetase ndaj bashkëshortëve të tyre, përkatësisht Nehat Xholi dhe Behar Fasllia. Sipas tyre, dy ditë më parë shtetasja Sh. Xh., 27-vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në lagjen Nr. 14 është paraqitur në polici, ku pretendoi se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, Nehat Xholi, 36 vjeç. Zëdhënësja pohon se janë kryer veprimet procedurale dhe është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet iu kaluan për ndjekje Gjykatës së Rrethit Durrës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe shtetasja V. Fasllia, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj Behar Fasllia, 31 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në lagjen Nr. 14. 31-vjeçari Fasllia po hetohet edhe për veprën penale të dëmtimeve të tjera me dashje. Burimet e policisë vendore pohojnë se çështja i ka kaluar prokurorisë dhe shtetasi Behar Fasllia do të hetohet në gjendje të lirë. Tre ditë më parë u regjistruar një tjetër rast i dhunës në familje, ku një shtetase, megjithëse ishte marrë nën mbrojtje nga policia, është dhunuar sërish nga bashkëshorti i saj, i cili është shpallur person në kërkim.

Shkrumbohen 2 mjete të shtetasve të huaj, mori flakë servili

Dy automjete të dy shtetasve përfundojnë në flakë për shkak se ishin të parkuara para një servisi makinash, i cili është shkrumbuar si pasojë e një shkëndije elektrike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se makinat ishin në pronësi të shtetasve Ergyn Arabazhin dhe Panajot Sarasin. Një telefonatë rreth orës 01:40 të mëngjesit të së enjtes ka vënë në punë forcat e policisë në qytetin e Gjirokastrës. Zëri në linjën telefonike njoftoi se në rrugën nacionale Gjirokastër -Tepelenë, në vendin e quajtur Ura e Lumit Gjirokastër, në sheshin para dyqanit të pjesëve të makinave bujqësore të firmës “Agrotex Çarçani”, po digjej një makinë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta të policisë, si dhe zjarrfikësit të cilët njoftuan se mjeti tip benz i shtetasit turk Ergyn Mehmet Arabazhi është djegur plotësisht, ndërsa në flakë është përfshirë dhe një tjetër mjet i ndodhur pranë tij, me pronësi një shtetas grek. Falë ndërhyrjes është arritur të shpëtohet nga djegia mjeti tip ‘Skoda’ me targa greke në pronësi të Panajot Sarasit, punonjës i konsullatës greke. Në fund të hetimeve paraprake grupi hetimor përcaktoi si shkak të rënies së zjarrit një shkëndijë elektrike në automjetin tip ‘Benz’, pronari 35-vjeçar i të cilit zotëronte një servis për lyerjen e makinave në Gjirokastër.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›