Hetim për botuesin e “Dita 2000”, shiste tekste të pamiratuara nga MASH-i
DURRËS – Regjistrohen rastet e para të spekulimeve për librave shkollore në arsimin e detyruar arsimor pas futjes së teksteve alternative. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj një botuesi të njohur të teksteve shkollore, pasi ka shpërndarë libra për shkollat e mesme të cilat nuk janë miratuar nga bordi i Ministrisë së Arsimit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë nisi procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Naim Buci, 42 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Sipas tyre, Buçi, pronar i Shtëpisë Botuese “Dita 2000”, dyshohet se ka shpërndarë për shitje në disa librari të këtij rrethi libra shkollorë për gjimnazet.
Hetimi
Nga verifikimet në terren që ka bërë policia, ka rezultuar se nëpër librari ishin hedhur në shitje tekste të Fizikës për vitet e dyta, të treta dhe të katërta. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Qarkut bëhet e ditur se “këto libra nuk janë miratuar nga Ministria e Arsimit për botim dhe shitje nga kjo shtëpi botuese. Sipas të dhënave zyrtare, janë “sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi librash të nxjerra në shitje. “Materialet për veprën penale të ribotimit pa të drejtë të veprës së tjetrit iu kaluan për ndjekje prokurorisë së rrethit të Durrësit”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut. “Shtëpia Botuese “Dita 2000” ka qenë në qendër të disa përplasjeve edhe më parë. Pronari aktual i saj, Naim Buçi ka pasur një përplasje me Ministrinë e Arsimit për çështjen e pagimit të teksteve shkollore. Ai bashkë me botues të tjerë, akuzuan ish-ministrin Pollo se nuk po shlyen detyrimet financiare ndaj botuesve. Po ashtu, kjo shtëpi botuese është përfolur se është në pronësinë e deputetit të PD-së Preç Zogaj. Nga të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, “Dita 2000", aktualisht ka pronar të vetëm Bucin. Skema abuzive
Me fillimin e arsimit të detyruar më 15 shtator, një tjetër problem që ka dalë është edhe shpërndarja e librave, dhe futja e teksteve alternative në të gjithë sistemin e detyruar arsimor. Tashmë, ka disa tekste për një lëndë, dhe vetë drejtoritë arsimore në rrethe përzgjedhin botimet që dëshirojnë. Edhe në lëndë të tilla si kimia, fizika, biologjia dhe matematika ka disa tekste, të përgatitura nga shtëpitë botuese. Kjo ka shkaktuar konfuzion në treg dhe në strukturat arsimore. Botuesit janë në një garë pa rregulla për të shitur tekstet e tyre, gjë që i ka detyruar ata që të vendosin lidhje klienteliste me Drejtorisë Arsimore dhe stafet pedagogjike në rrethe.
19 Shtator 2008