Kandidatët e paregjistruar, MASH-i: “Nuk ka afat të dytë regjistrimi”
Disa prej maturantëve fitues për në universitete rrezikohet t’u digjet e drejta e shkollimit, pasi nuk kanë respektuar afatet e regjistrimit paraprak. Kandidatët fitues për në universitete, të cilët për arsye të ndryshme nuk mundën të regjistroheshin nuk do të kenë një afat të dytë regjistrimi paraprak. Fakt ky që pohohet zyrtarisht nga Ministria e Arsimit. Për pasojë, ata do të humbin të drejtën për të ndjekur studimet e larta këtë edhe pse janë shpallur fitues. Burime zyrtare nga MASH-i sqarojnë se kandidatët fitues patën plotë nëntë ditë kohë në dispozicion për të kryer regjistrimin paraprak, përkatësisht nga data 9-17 shtator, nga ora 08.00 deri në orën 18.00 të pasdites. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, MASH-i publikoi edhe udhëzimin për procedurat e regjistrimit të universitete. Në udhëzim përcaktohej qartë se kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit. Por megjithëse të rinjtë janë informuar për afatet e regjistrimit paraprak, dje disa prej tyre gjendeshin në dyert e Ministrisë së Arsimit për të kërkuar një zgjidhje për këtë problem. Sipas tyre, ky vendim është i padrejtë, dhe Ministria duhet të bëj një tolerim për këta fitues. Ndërkohë që deri tani përgjigja zyrtare e këtij dikasteri është që maturantët fitues duhet të respektonin afatet. Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t’u dorëzohen universiteteve, në datën 25 shtator 2008 nga MASH-i. Po atë ditë këto institucione duhet të afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse. Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht, dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen.
19 Shtator 2008