E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon MASH-i: “Për fakultetet e dyta, duhet të pritet vendimi i qeverisë”



Jonida Tashi

Çelet drita jeshile për nisjen e fakulteteve të dyta. Burime nga kryeministria bëjnë të ditur se shpërndarja e 500 kuotave të miratuara për fakultet të dytë sipas universiteteve, dhe tarifat e studimit do të miratohen së shpejti. Pikërisht, mosmarrja e këtij vendimi deri tani, ka bërë që universitetet publike të gjenden në kaos për fakultetet e dyta. Pas shqetësimit të ngritur nga fakultetet, për bllokimin e fakulteteve të dyta reagon Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, fakultetet duhet të presin daljen e vendimit të qeverisë për kuotat dhe tarifat për këto studime. Ndërkohë që në disa fakultete kanë nisur regjistrimet për këto studime. Për këtë, burime zyrtare nga MASH-i sqarojnë se fakultetet nuk duhet t’i nisin procedurat për nisjen e fakultetit të dytë përderisa nuk ka dalë vendimi i qeverisë. “Fakulteteve nuk u është caktuar afat që regjistrimet duhet të pranohen deri në një datë të caktuar. Regjistrimet për të ndjekur një fakultet të dytë duhet të nisin pas daljes së vendimit të qeverisë për këto studime”, - shprehet shefja e zyrës së shtypit në MASH, Ermelinda Muho. Sipas saj, pavarësisht se propozimet e universiteteve për fakultetet dyta rishikohen në Ministri, miratimi i tyre varet vetëm nga Këshilli i Ministrave. Për këtë, burime nga kryeministria sqarojnë se shpërndarja e 500 kuotave të miratuara për fakultet të dytë sipas universiteteve dhe tarifat e studimit do të miratohen së shpejti. Pas miratimit të këtij vendimi, universitetet do të bëjnë rishpërndarjen e tyre nëpër fakultetet përkatëse.
Fakultetet
Aktualisht në disa fakultete ku ofrohen studimet për fakultet të dytë kanë nisur regjistrimet formale për ndjekjen e këtyre studimeve. Por ka edhe fakultete, që janë në pritje të vendimit të qeverisë për nisjen e kësaj procedure, i tillë është ai i Histori-Filologjisë. Pavarësisht se qeveria pak kohë më parë bëri miratimin e diplomave të dyta, shkresa zyrtare ende nuk u është përcjellë fakulteteve. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut e problemit për fakultetet e dyta, pasi që të nisin procedurat konkrete duhet që qeveria të miratojë kuotat dhe tarifat për studimet e nivelit të dytë. Një ditë më parë, burime zyrtare nga Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë bënë të ditur për gazetën “Albania” se shkresa zyrtare për miratimin e diplomave për fakultet të dytë nuk ka ardhur ende në fakultet. Të njëjtat burime sqarojnë se pa u miratuar kuotat se sa studentë do të pranohen si dhe tarifat e studimit, fakultetet nuk mund të nisin procedurat për nisjen e këtyre studimeve. Ajo që dihet deri tani është vetëm fakti se për vitin e ri akademik qeveria ka vënë në dispozicion 500 kuota pranimi për programin e dytë të studimit. Ndërsa shpërndarja e tyre nëpër fakultete mbetet në pikëpyetje. Madje, tashmë ka kaluar edhe afati i fundit i regjistrimit i vendosur nga Ministria për të ndjekur këto studime që ishte data 15 shtator. Për këtë, MASH-i sqaron se fakultetet i kanë vetë në dorë afatet për regjistrimet dhe mund të bëjnë një shtyrje të tyre. Sipas dekanit të Fakultetit Histori-Filologji këto studime duhet të nisin në muaj tetor, kohë kur nisin të gjitha studimet e larta në vend.
Kuotat
Për vitin e ri akademik qeveria ka vënë në dispozicion 500 kuota pranimi për programin e dytë të studimit. Kreu i Universitetit të Tiranës sqaron se kuotat janë përcaktuar në varësi të kapaciteteve të fakulteteve. Të drejtën për të ndjekur një program të dytë studimi e kanë të gjithë individët që kanë përfunduar një program studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi. Kështu, për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë, ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të. Institucionet publike të Arsimit të Lartë përcaktojnë në rregulloret mësimore përkatëse kritere specifike për pranimin e studentëve në çdo program studimi të ciklit të dytë, që lidhen me drejtimin e formimit të tyre në ciklin e parë dhe kualitetin e përgatitjes individuale të studentëve, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Këto kritere specifike bëhen publike para fillimit të pranimeve të radhës në institucion.

Dokumentet

Çdo i interesuar për të vazhduar një program të dytë studimi fillimisht duhet të paraqesë në sekretarinë e dekanatit përkatës kërkesën me shkrim. Përveç depozitimit të kërkesës, personi i interesuar duhet të ketë në dosjen e tij personale, fotokopjen e noterizuar të diplomës universitare dhe listës së notave. Po kështu, kandidatët që synojnë të marrin një diplomë të dytë, duhet të paraqesin planin dhe programin mësimor të diplomave të realizuara, i cili tërhiqet në departamentin e degës, ku ata kanë kryer studimet në degën e parë. Këto janë dokumentet kryesore që nevojiten për të vazhduar studimet në degë të dytë. Me shumë rëndësi për të vazhduar këto studime është edhe CV-ja (Curriculume Vitae) e kandidatëve. Në vazhdimin e studimeve të dyta prioritet do të kenë kandidatët, të cilët kanë një CV të pasur nga ana profesionale. Dorëzimi i dokumenteve do të bëhet në sekretaritë e fakulteteve përkatëse. Ndërsa miratimi i kuotave për degë të dytë, sikurse tarifat e shkollimit, do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave së shpejti. Vitin e kaluar qeveria miratoi 250 kuota pranimi për degë të dytë. Fakulteti i Mjekësisë dhe ai Juridiku kishin një vit më parë edhe tarifat më të larta të shkollimit.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›