E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima e parë e të ftohtit, vdes në qendër të Tiranës 50-vjeçari

• TIRANE - Gjendet i vdekur nga i ftohti, i moshuari në qendër të kryeqytetit pranë bashkisë.Viktima e parë e temperaturave të ulëta ka mbetur i paidentifikuar ende nga policia për shkak se nuk i është gjendur asnjë dokument me vete. Paraprakisht policia ka pohuar se personi që ka vdekur pranë stacionit të autobusëve duhet të jetë ndonjë endacak. Viktima sipas policisë është rreth moshës 50-60 vjeç, i seksit mashkull. Ai është gjetur pranë stacionit të autobusëve në rrugën “28 Nëntori”, në afërsi të Sahatit pranë Bashkisë së Tiranës. Sipas policisë viktima është rreth 1.72 metër i gjatë, me trup të rregullt. I pa identifikuari është gjetur i vdekur aty rreth orës 07:30 të mëngjesit të ditës së diel, kur policia është njoftuar se një person ndodhej i shtrirë në stolin e stacionit të autobusëve të linjës së Tufinës. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur menjëherë veprimet hetimore. Mjekët dhe grupi i ekspertëve të policisë kanë konfirmuar faktin se viktima ka mbetur i vdekur nga infarkti në zemër i shkaktuar nga i ftohti. Hetuesit këtu kanë mbyllur veprimet e tyre pasi është provuar shkaku i vdekjes të ishte natyral. Trupi i viktimës, është dërguar në morgun e spitalit të Tiranës për t’u identifikuar nga të njohur të tij, apo persona të afërm të viktimës. Deri dje në mbrëmje vonë, askush nuk kishte shfaqur interes për të identifikuar viktimën, ndoshta edhe për shkak se ai ishte endacak. Policia ka kërkuar të gjejë të afërm të mundshëm të viktimës, duke pyetur dëshmitarë të ndryshëm por pa sukses. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›