E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i KESH: Në burg faturistët që abuzojnë

• “Çdokush që abuzon me detyrën jo vetëm që do të largohet nga puna, por edhe do t’i dërgohet dosja në Prokurori”.SHKODER/ Ritvan DibraKështu ka pohuar Nesti Kiri, drejtori Operativ i Sistemit të Shpërndarjes, zona Shkodër. Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit numërohen 180 punonjës të larguar në rrethet Shkodër, Lezhë, Pukë dhe Malësi e Madhe, të cilat përfshihen në zonën e Shkodrës, për abuzime me detyrën. Sipas Kirit, shkeljet kanë qenë disa. Janë larguar nga puna arkëtarë të pagesave të faturave, të cilët nuk regjistronin pagesat e faturave. Tre prej tyre janë larguar vetëm gjatë ditëve të fundit, madje për dy është hapur edhe dosja penale. Mësohet se shkeljet janë konstatuar në bazë të kontrolleve që janë organizuar në terren, nga ku kanë dalë disa fatura realisht të paguara, por që nuk ishin të regjistruara. Ky fenomen i përkiste kryesisht viteve 2004-2005 dhe më pak më tej. Disa shkelje të tjera kanë të bëjnë me faturimin më të ulët apo më të lartë të energjisë së konsumuar nga abonentët. Ky konstatim i ka kushtuar largimin nga puna të 3 punonjësve vetëm në një zone. Por në rastet kur është provuar se qytetari ka të drejtë dhe se është provuar se ka abuzuar arkëtari, Kiri është shprehur: “Ne nuk mund të ndryshojmë regjistrat tanë apo të shtojmë të dhëna të tjera. Kjo mund të zgjidhet vetëm nëse qytetari hedh në gjyq arkëtarin, i cili ka bërë shkeljen. Është gjykata dhe prokuroria që vendos dhe nëse vërtetohet atëherë do të jetë arkëtari ai që përgjigjet për shkeljen e bërë”, ka deklaruar ai.“Përpara se ta kërkojmë të keqen tek të tjerët, në radhë të parë atë duhet ta kërkojmë te vetja jonë. Pikërisht duke pasur parasysh një fakt të tillë, gjatë viteve të drejtimit tim në këtë institucion, i kam kushtuar një rëndësi të veçantë zbatimit të detyrave dhe luftimit të çdo abuzimi. Për rreth 2 vite që unë jam në drejtim janë larguar nga puna 180 punonjës. Prej tyre 160 janë larguar për shkelje, moszbatim të detyrave. Këtu përfshihen rrethet e Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe dhe Lezhës”, kështu është shprehur në një prononcim të tij drejtori Kiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›