Trafikuan fishekë e silenciatorë, 4 të pandehur te Krimet e Rënda
• TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet dhe dërgon në gjykatë dosjen penale ndaj katër personave të akuzuar për trafik armësh dhe municionesh.Përveç tre personave që ishin duke trafikuar 20 mijë fishekë dhe pajisje të tjera armatimi hetimet kanë zbuluar edhe shitësin e armëve dhe municioneve i cili është vendosur në pranga. Blerim Sena, Zamir Zogu, Sadulla Qoku dhe Kujtim Laliçi do të përballen me togat e zeza të Krimeve të Rënda pasi Prokuroria përfundoi hetimet 5-mujore ndaj tyre. Të akuzuarit u arrestuan më 23 shtator 2007 në vendin e quajtur “Ura e Palasës” duke transportuar 20 mijë fishekë me një makinë tip “Benz” me targa të Lezhës. Bashkë me sasinë e konsiderueshme të municioneve, policia sekuestroi edhe një automatik tip “Kallashnikov”, një “shotgan”, një armë tjetër automatike të pajisur me zhurmëshues si dhe një arkë me detonatorë eksplozivi. Të parët që kanë rënë në pranga ishin Blerim Sena, Zamir Zogu dhe Kujtim Laliçi që akuzohen se po trafikonin armët dhe municionet. Sadulla Qoku nga Saranda, u arrestua më pas për shkak se rezultoi të ishte personi që u kishte shitur armët dhe municionet të arrestuarve të tjerë. Sipas hetimeve të Prokurorisë destinacioni i armëve dhe fishekëve ishte jashtë Shqipërisë mirëpo të arrestuarit pretendojnë se armët dhe municionet do të transportoheshin në qytetin e Krujës. Besohet se fishekët kanë qenë municione të marra prej depove shtetërore gjatë trazirave të vitit 1997. Gjatë aksionit policia sekuestroi 14 arka me fishekë në makinën me targa LE 5200 A ku u gjetën edhe armët e zjarrit të destinuara për shitje. Arrestimi i tre të akuzuarve për trafik armësh është bërë pas informacioneve operative të marra nga Policia e Vlorës. Kjo e fundit është vënë në ndjekje të makinës së dyshuar deri në afërsi të Palasës, ku uniformat blu kanë vendosur të ndalojnë mjetin dhe gjatë kontrollit të ushtruar kanë zbuluar armët dhe fishekët. Pas aksionit duke u bazuar në të dhënat që flisnin për një grup kriminal të organizuar në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve, policia i përcolli materialet hetimore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila pas përfundimit të hetimeve paraprake, dërgoi dosjen për gjykim me katër persona të pandehur.