E Hënë, 2 Nëntor 2026

Atentat, vritet Vajdin Lame

01/03/2005  Kush ishte Vajdin Lame

Gjeneralitetet: Vajdin Lame

Datëlindja: 08.12.1068

Arsimi: Akademia Ushtarake dhe

Akademia e Rendit Publik

Karriera: Ka punuar rreth 2 vjet në Policinë e Shtetit

9 muaj ka qenë drejtor i policisë së Shkodrës

Aktiviteti: Zëvendëspresident i “Top Albania Radio”,

President i Federatës Shqiptare të Boksit

Njihet si biznesmen i suksesshëm

Gjendja civile: I martuar

me 3 fëmijë

Atentati më 17 tetor te TVA-ja

Atentati me tritol që i mori jetën kreut të Federatës Shqiptare të Boksit, nuk ishte i pari për të. Mbrëmjen e datës 17 tetor të vitit që lamë pas, Vajdin Lame dhe inxhinieri Xhevahir Ngjeqari u goditën nga një breshëri plumbash pranë televizionit "Arbëria", pak metra larg qendrës së kryeqytetit. Dy të plagosurit ishin të ftuar tek emisioni "Zonë e lirë" të gazetarit Arjan Çani. Me të përfunduar emisioni, të ftuarit dhe drejtuesi i programit televiziv po dilnin për të pirë një kafe së bashku, në baret atypari. Befas, nga errësira, përballë pab "Luks", u goditën nga persona që udhëtonin me një automjet tip “Golf” i bardhë. Mbetën të lënduar lehtë në këmbë Vajdin Lame dhe Xhevahir Ngjeqari. Ata u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pas mjekimit, ata lanë shtretërit e SQUT-së për të vijuar kurimin në banesë. Vrasësit, sakaq arritën t’u shpëtonin ndjekjeve të bluve dhe dogjën makinën e krimit në afërsi të “Shkollës së kuqe”. Ata nuk u arritën të zbuloheshin, pasi në përpjekje për të shuar zjarrin, banorët përreth zhdukën gjurmët e ekzekutorëve. Grupi hetimor kreu veprimet në vendin e ngjarjes si dhe mori dëshmitë e protagonistëve të ngjarjes. Edhe Ngjeqari, edhe Lame u shprehën për blutë, por dhe për mediat, se nuk ishin ata shënjestra e atentatorëve. Secili prej tyre rrekej të përjashtonte veten nga të qenit objekt i sulmit kriminal. Kësisoj, ngjarja mbeti pa autor, pasi të plagosurit e "Zonë e lirë" mohuan faktin se mund të kishin rivalitet apo probleme me ndokënd. Gjithsesi u arrit të verifikohej se autorët ishin të paguar nga dikush, që i interesonte vdekja e njërit prej të ftuarve të Çanit. Ceremonia, Lame varroset në Domje

Vetëm pak orë pas atentatit me pasoja tragjike, trupi i të ndjerit Vajdin Lame u përcoll për në fshatin Domje, ku banojnë të afërmit e viktimës. Ndonëse kishte mjaft vite që ishte larguar prej andej, i vendosur në Tiranë, familjarët vendosën që djali më i vogël i shtëpisë të prehej pranë eshtrave të së ëmës, vdekur kohë më parë. Në përcjelljen e fundit për nder të tij morën pjesë mijëra vetë, shumica e të cilëve vinin nga kryeqyteti, por dhe nga rrethe të tjera, ku 37-vjeçari kishte miq e të afërm. Vila 4-katëshe ngrihet prapa kodrës së Domjes, afro 2 kilometër larg nga rruga automobilistike. Atje jetojnë i ati dhe 2 vëllezërit më të mëdhenj të të ndjerit. Sipas traditës, arkivoli me trupin e të vdekurit ishte vendosur në mes të oborrit të shtëpisë në pritje të ngushëllimeve. Pjesëmarrësit në funeral prekën sipas zakonit arkivolin, pasi plagët e rënda të shkaktuara nga tritoli nuk linin asnjë shans për t’u hapur kapaku. Nuk munguan as dashamirës të sportit të boksit dhe anëtarë të kësaj federate, që Lame e drejtoi për shumë kohë. Një vizitë ngushëllimi nga gazetarët e “Top Albania” dhe “Top Chanel”, ku ai ishte në statusin e zëvendëspresidentit dhe një kamera e këtij televizioni që filmonte gjatë gjithë kohës vizitat e ngushëllimit. Ndonëse ishte caktuar ora 15.00 për varrimin e tij, arkivoli u nis për në banesën e fundit afro një orë më pas. Vizitorët që mbushnin rrugët e fshatit, gjithnjë e më tepër shtynë familjarët t’u linin mundësi të përshëndosheshin për herë të fundit me Vajdin Lamen. 37-vjeçari la pas gruan dhe 3 fëmijë të mitur.

Versioni zyrtar i Policisë së Shtetit

Më datë 27.02.2005, rreth orës 24.00, në njërën nga kullat mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”, ka ndodhur një shpërthim me lëndë plasëse. Për pasojë kanë mbetur të vrarë shtetasit Vajdin Xhemal Lame, i vitlindjes 1968, lindur në Kukës e banues në Tiranë, si dhe Artan Bari Arsi, i vitlindjes 1970, lindur në Shkodër e banues në Tiranë. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nga hetimet e deritanishme rezulton se shpërthimi të ketë ndodhur në çastin kur të dy viktimat kanë qenë duke u ngjitur me ashensor. Shpërthimi mendohet të ketë ndodhur pikërisht në katin e pestë të godinës. Si rezultat i shpërthimit, ashensori i këtij pallati është dëmtuar tërësisht, ndërsa në banesat e pallatit nuk ka patur dëmtime. Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për zbardhjen e ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Tritol me telekomandë në ashensorin e pallatit

Vajdin Lame dhe truproja e tij, Artan Arsi, kanë humbur jetën pas mesnatës të së dielës, në pallatin mbi pastiçeri "Venecia". Dy viktimat janë përballur me një sasi të konsiderueshme eksplozivi posa kanë vënë këmbë në ashensor. Tritoli ishte i pajisur me telekomandë dhe qe vendosur në një nga anët e ashensorit, duke realizuar shpërthimin në katin e pestë të kullës, ku dhe banonte Lame. Presidenti i Federatës së Boksit ka vdekur në vend, ndërsa Arsi gjatë rrugës për në spital. Policia hedh dyshimet e para. Disa të shoqëruar në polici, por deri më tani asnjë i arrestuar, pasi nuk ka gjurmë daktiloskopike në vendin e ngjarjes. Duke marrë parasysh dhe provat e gjetura në vendin e ngjarjes, u arrit të konstatohej se tritoli ishte vënë në ashensor që ditën e shtunë. Ishte parashikuar që atentati të realizohej mbrëmjen e datës 26 shkurt, por plani i kriminelëve ndryshoi në varësi të axhendës së Vajdin Lames. U verifikua se i ndjeri nuk kishte qenë në shtëpi të shtunën, ndaj ekzekutorët nuk e realizuan atentatin me tritolin e instaluar në pjesën e sipërme të transportierit. Sakaq, dyshohet se kanë qenë një grup personash, ata që realizuan vrasjen. Ata kanë koordinuar veprimet me njëri-tjetrin, duke bërë të mundur marrjen në dijeni të vendndodhjes së Lames në këto 2 ditët e fundit. Sipas burimeve, nuk përjashtohet mundësia që vrasësit të kenë qenë klientë të pastiçeri "Venecia" apo restorant "Juvenilia", ku biznesmeni kalonte një pjesë të mirë të kohës së tij.

Ngjarja

Ora shënonte rreth 00:40 e së djeshmes, kur Vajdin Lame, i shoqëruar nga truproja e tij, Artan Arsi, vunë këmbë në ashensorin e pallatit shumëkatësh mbi pastiçeri "Venecia", ku banonte 37-vjeçari. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policië së Tiranës, shprehen se me të hipur në transportier, një sasi e madhe eksplozivi shpërtheu fuqishëm. Tritoli ishte programuar të shpërthente në katin e pestë të godinës, ku kishte apartamentin Lame. Si pasojë e shpërthimit mbeti i vdekur në vend presidenti i Federatës së Boksit dhe u plagos shumë rëndë shoqëruesi i tij. Zhurma e fortë zgjoi gjithë banorët e pallatit, të cilët zbuluan të plagosurit dhe u rrekën t’i jepnin ndihmën e parë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pak minuta më pas, por gjithçka kishte marrë fund. Ndërsa uniformat janë përballur me pamjen rrënqethëse që ofronte trupi i pajetë i Lames, Arsi u dërgua në spital. 35-vjeçari humbi jetën gjatë rrugës. Paskëtaj, në kullën shumëkatëshe mbërritën dhe familjarë të viktimave, të lajmëruar nga banorët e pallatit. Për grupin hetimor ishte shumë e vështirë të kryente veprimet në një skenë të tillë. Të njëjtat burime saktësojnë se vendi ishte mbuluar i gjithi nga gjaku dhe kasa e ashensorit ishte copëtuar keqas, deri në shpërbërje.

Dyshimet

Veprimet e para në vendin e ngjarjes arritën të zbulonin skemën e atentatit tragjik. Specialistët e antiterrorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, arritën të faktonin se eksplozivi ishte vendosur në katin e pestë të godinës dhe drejtohej nga një telekomandë. Dëshmitë e banorëve të ndërtesës informuan blutë se 2-3 ditët e fundit kishin parë të qarkullonin lart e poshtë njerëz të panjohur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›