E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një telefon “Siemens”, telekomanda e eksplozivit

01/03/2005  Dyshohet për konflikte të mëparshme të Lames dhe për shkak të konkurrencës në biznes

Një kaskë telefoni celular i markës “Siemens” është gjetur mes mbeturinave të eksplozivit që shpërtheu mbi ashensorin me të cilin po ngjiteshin Vajdin Lame dhe miku i tij shkodran, Artan Arsi, për në banesën e të parit. Telefoni dyshohet të ketë qenë i programuar për të mundësuar shpërthimin e eksplozivit në momentin që mbi të të kryhej thirrje. Kjo kaskë dhe disa mbeturina të lëndës plasëse janë provat e vetme që ka mundur të skuestrojë policia dhe Prokuroria në vendngjarje, pasi autorët duket se nuk kanë lënë asnjë gjurmë tjetër.

Funksionimi

Nga hetimet paraprake dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konkluduar se plani për vendosjen dhe shpërthimin e eksplozivit ka qenë i mirorganizuar dhe i detajuar. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje për gazetën “Metropol”, se menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen e rëndë, të ndodhur në një pallat pranë stadiumit “Qemal Stafa”, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, hetues të Krimeve të Rënda kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet paraprake. Burimet sqarojnë se, fillimisht është dyshuar për ndonjë akt terrorist, pasi shpërthimi i fuqishëm i tritolit kishte dëmtuar rëndë pjesë të ndryshme të pallatit. Por, pas identifikimit të viktimave, Vajdin Lames dhe Artan Arsit, lindën dyshimet se mund të ishte një atentat kundër Presidentit të Federatës së Boksit. Sipas burimeve, nga hetimet e deritanishme dyshohet se për kryerjen e këtij akti të konsideruar si mafoiz, duhet të kenë bashkëpunuar të paktën tri persona. Ndërkaq, nga mënyra e montimit të eksplozivit është konkluduar se një prej personave që e ka instaluar atë në ashensor, ka qenë ekspert në fushën e shpërthimeve. Kështu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe provat materiale të gjetura aty, mendohet se për shpërthimin ka shërbyer një aparat celular që ka luajtur rolin e telekomandës. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe gjetja e një kaske telefoni të lëvizshëm të markës “Siemens”. Nga hetimet del se, në momentin që këtij telefoni i bëhej thirrje, ai kryente aktivizimin e djegies së fitilit. Sipas ekspertëve, shpërthimi i eksplozivit ishte programuar të ndodhte në katin e dhjetë, por kjo gjë ndodhi në katin e pestë. Prokuroria ka sekuestruar kaskën e telefonit dhe mbeturina eksplozivi në cilësinë e provës materiale, të cilat janë çuar për ekspertim. Nga dëmtimet e shkaktuara në pallat dhe nga pozicioni i vendosjes së paketës vrasëse, dyshohet që ai të ketë qenë në sasi të madhe dhe cilësorë. Kjo për vetë faktin se hapësira mbi ashensor ka qenë e madhe dhe përsëri tritoli ka pasur një forcë të jashtëzakonshme.

Pistat

Policia dhe Prokuroria i kanë shtrirë hetimet në disa pista. Ende nuk është arritur të konkludohet në ndonjë pistë apo emër konkret, si të dyshuar për shkak të mungesës së provës. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se atentati ndaj Lames mund të jetë një vazhdimësi e atentatit të disa muajve më parë në shkallët e TVA-së, ku ai vetëm u plagos. Tjetër pistë ku po heton Prokuroria është ajo e ndonjë konflikti të mundshëm të vjetër. Burimet pohojnë se po verifikohet gjithë aktiviteti i tij i mëparshëm, edhe kur ka qenë në detyrë si zyrtar i lartë i policisë. Gjithashtu po hetohet edhe në versionin e ndonjë konflikti të mundshëm për shkak të konkurrencës. Por burimet e Prokurorisë shprehen se ende nuk është zyrtarizuar ndonjë pistë hetimi, apo ndonjë emër konkret i dyshuar për ngjarjen. Kjo, pasi atentatorët nuk kanë lënë gjurmë në vendngjarje, fakt që konfirmon profesionalizmin e tyre. Gjithashtu dyshohet që ekzekutorët të kenë qenë vrasës me pagesë dhe, sipas informacioneve operative, ka pasur shumë të mëdha të parapaguara. Edhe për atentatin te TVA-ja, u dyshua se atentatorët mund të kishin qenë të paguar, pasi gjurmët e tyre nuk korresponduan me ato të personave të shoqëruar. Po shihet ngjashmëria e dy rasteve që të mundësohet përforcimi i dyshimeve aktuale, për të mbërritur tek adresa e vrasësve.

Fillimisht u dyshua për akt terrorist

Pas sinjalizimit për shpërthimin e një sasie të madhe eksplozivi në pallatin pranë stadiumit “Qemal Stafa”, në katin e parë të të cilit ndodhet edhe piceri “Venecia”, fillimisht është dyshuar për një akt të mundshëm terrorist. Për këtë shkak, hetues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, për të kryer veprimet paraprake për ngjarjen. Por pas identifikimit të viktimave, që i përkisnin biznesmenit të njohur Vajdin Lame dhe mikut të tij shkodran, Artan Arsi, është konkulduar për një atentat kundër zv.presidentit të “TOP Albania Radios”. Nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se nga hetimet paraprake rezultoi që shpërthimi i eksplozivit të ketë qenë një atentat i parapërgatitur ndaj Lames. Këto dyshime janë bazuar edhe në një atentat të kryer disa muaj më parë kundër Lames dhe Ngjeqarit, të cilët ishin të ftuarit e gazetarit Arjan Çani, në emisionin “Zonë e lirë” në TVA. Për këtë shkak, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që t’ia kalojë dosjen për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme.

Të afërmit nuk flasin në polici

Të afërmit dhe miqtë e biznesmenit të njohur Vajdin Lame, nuk kanë dhënë shpjegime për dyshimet e tyre mbi ngjarjen. Ky fakt konfirmohet nga burime policore, të cilat u shprehën dje për gazetën, se është tentuar disa herë që të kontaktohej me të afërmit e Vajdin Lames. Por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të flasë, duke pohuar para hetuesve se nuk ishin në gjendje për të dhënë shpjegime, për shkak të dhimbjes dhe fatkeqësisë që u kishte rënë. Burimet policore shprehen se, deklarimet e të afërmve të Lames janë të nevojshme për hetimin, pasi mund të kenë dijeni mbi ndonjë konflikt të mundshëm të tijin, të vjetër apo të ri. Pritet që në ditët në vazhdim, hetuesit e Prokurorisë së Tiranës të kontaktojnë sërish me të afërmit e Vajdin Lames, për të pyetur mbi dyshimet e tyre për ngjarjen e rëndë.

Biznesmenët e vrarë pas vitit 1990 në Shqipëri

1- Abaz Ulliri, 45 vjeç, biznesmen i prodhimit të mobiljeve në Nikël të Krujës, i aksidentuar në maj të vitit 1995. Nga hetimi dyshohet që të jetë vrarë për shkak të konkurrencës në biznes. Ende nuk ka ndonjë autor të dyshua

2- Remzi Hoxha, 42 vjeç, pronar i një punishteje duralumini, rezulton të ketë humbur që prej 21 tetorit të vitit 1995. Sipas hetimit, dyshohet të ketë vdekur për shkak të ushtrimit të dhunës fizike. Ende nuk ka autorë të dyshuar për zhdukjen e tij

3- Stefano Rossi, 24 vjeç, pronar i një fabrike të prodhimit të këpucëve në Tiranë, i vrarë më 27 janar të vitit 1998. U konkludua se ishte vrarë nga vëllezërit Avdillari, të cilët e kishin grabitur

4- Koço Dado, 47 vjeç, tregtar mallrash ushqimorë, rezulton i zhdukur që prej 8 qershorit të vitit 1988. Dyshohet të jetë vrarë pas marrjes peng për 1 milion dollarë. Ende nuk dihen autorët

5- Agim Xhixha, 45 vjeç, tregtar karburantesh në Tiranë, i vrarë më 18 mars të vitit 2000. Dyshohet të jetë vrarë për shkak të konkurrencës në biznes. Ende asnjë i dyshuar si autor i vrasjes së tij

6- Riza Çeço, 43 vjeç, tregtar këpucësh në Tiranë, i vrarë më 19 dhjetor të vitit 2001. Dyshohet të jetë vrarë për shkak të aktivitetit që ushtronte. Nuk është identifikuar asnjë prej autorëve të vrasjes së tij

7- Ardian Çobo, 26 vjeç, pronar i disa lokaleve në Berat dhe president i ekipit të “Tomorrit”, i vrarë më 13 maj të vitit 2000. Dyshohet të jetë ekzekutuar për hakmarrje nga Aglin Goxhi

8- Florian Vila, 38 vjeç, biznesmen i tregtimit të hekurit, i vrarë më 9 prill të vitit 2003. Dyshohet të jetë ekzekutuar për shkak të konkurrencës në biznes, ose për probleme personale. Asnjë i dyshuar si autor i vrasjes së tij

9- Fatmir Rama, 35 vjeç, pronar i kompleksit sportiv “Kartodrom” në Tiranë, i vrarë më 29 mars të vitit 2003. Dyshohet të jetë vrarë për hakmarrje. Një nga autorët e akuzuar, Lavdërim Tufa, nga Lundra

10- Myftar Çela, 45 vjeç, pronar i një kompleksi pularie në Shkodër dhe president i “Vllaznisë”. I vrarë më 14 qershor të vitit 2003. Dyshohet të jetë vrarë për borxhe. I arrestuar si ekzekutor Bajram Mulaj

11- Arben Fodulli (Pojani) 34 vjeç, tregtar i njohur i mishit, pronar butiqesh dhe floktoresh, i vrarë më 22 gusht të vitit 2003. Dyshohet të jetë vrarë nga frika e një hakmarrjeje të mundshme për vëllanë e tij, të ekzekutuar në vitin 1998, Petraq Fodullin. Autorët ende të pazbuluar

Shkodrani, mik i biznesmenit

Artan Bari Arsi, 35 vjeç, i martuar me dy fëmijë, ka punuar për rreth 10 vjet si infermier në spitalin e Shkodrës dhe në poliklinikën qendrore të qytetit. Më pas, duke qenë se ka pasur dy motrat e tija të martuara në Tiranë, ka shkuar të punojë atje në një magazinë zvicerane farmaceutike, si furnitor ilaçesh. Gjatë periudhës që ka punuar në Shkodër është njohur si djalë inteligjent, shumë profesional, me shumë shoqëri dhe pa probleme. Mendohet se shoqëria e tij me Vajdin Lamen ka nisur rreth moshës 20-vjeçare, kohë kur ai dhe presidenti i boksit ishin me studime në Tiranë. Më pas, kur Lame ka punuar në Shkodër si drejtues policie, miqësia e tyre nuk është ndërprerë.

Tre muaj president i Federatës së Boksit

Në Asamblenë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Boksit, zhvilluar në fundin e vitit të kaluar, biznesmeni Vajdin Lamaj u zgjodh president i saj. Por, Lamaj në sportin e dorezave ishte i lidhur qysh më parë, ku për dy vite ishte edhe president i boksit shkodran. Kontributi i tij ka konsistuar në sponsorizimin e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare për ekipin e boksit të Vllaznisë, në pajisjen me bazë stërvitore të kësaj skuadre dhe në përballimin e nevojave të tjera. Pikërisht, në sajë të këtij kontributi, ai më vonë fitoi besimin e komunitetit të boksit shqiptar, për t'u zgjedhur në krye të tij. Në fakt, lidhjet e tij me sportin janë më të hershme, kur gjatë viteve 1985-1995 ai ka qenë mundës në ekipin e Partizanit. Ndërsa palestra e re ku përgatiten ekipet kombëtare të boksit, që u përurua pak kohë më parë, ka edhe kontributin e tij në kompletimin me mjete stërvitore bashkëkohore për boksierët shqiptarë. Kohët e fundit, Lamaj ishte zgjedhur edhe president i femrave të peshëngritjes, me emrin "Juvenilja". Vdekja e tij vjen në një kohë kur sporti i boksit kërkonte më shumë nga përkushtimi i tij, si në drejtim ashtu edhe në përkrahjen e zakonshme në mjete dhe financë, për periudhën e mandatit të tij si president i FSHB-së, deri në vitin 2008.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›