E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çelsi fiton trofeun e parë

28/02/2005  Vetëm në kohën shtesë skuadra e Murinjos ka fituar në Kardif finalen e Kupës Karling

Pas shumë investimesh të mëdha financiare për transferimin e lojtarëve më të përzgjedhur më në fund edhe padroni rus i Çelsit, Roman Abramoviç mund t’i gëzohet trofeut të parë prestigjoz siç është Kupa Karling. Njëkohësisht kënaqësi të veçantë ka ndjerë edhe trajneri portugez i Çelsit, Hoze Murinjo, i cili pa dyshim mund të shijoj nga afër frytet e punës së tij disa mujore në krye të pankinës së londinezëve. Ishte një takim në të cilin ka ndodhur gjithçka. Formacionet e të dyja skuadrave kanë dhuruar emocione dhe spektakël të jashtëzakonshëm me mënyrën e lojës së zhvilluar. Sigurisht kur një takim fillon me gol në finalen e Kupës Karling gjithmonë pritet që tifozëve të provojnë entuziazëm tepër të veçantë. Në fakt skuadra, e cila vinte më e karikuar në këtë ndeshje ishte Liverpuli i drejtuar nga Rafael Benitez. Të kuqtë zbarkuan në fushën e blertë të “Millenium Stadium” me formacionin më të mirë dhe duke patur në mendje suksesin e arritur në Ligën e Kampioneve kundër Leverkusenit. Si kapiteni Zherard, Morientes edhe lojtarët e tjerë të Liverpulit kërkuan të vendosnin diktaktin e tyre qysh në minutat e para. Nga ana tjetër blutë e Londrës vinin në këtë finale të madhe pas eleminimit prej Njukasëllit në Kupën FA dhe humbjes kundër Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Në këtë mënyrë triumfi në finalen e Kupës Karling do të ishte ilaçi më i mirë për problemet e Çelsit. Megjithatë ata që shënuan të parët ishin djemtë e Benitez në minutën e 1 me anë të një gjuajtje spektakolare të realizuar nga Xhon Arne Rise. Reagimi i bluve ka qenë i menjëhershëm, duke krijuar një volum të madh loje deri në fund të takimit. Ndërkaq Liverpuli përpiqej të ruante qetësinë e lojës dhe të menaxhonte avantazhin e krijuar, duke shfrytëzuar më shumë kundërsulmit. Në një formë shumë të mirë janë shfaqur edhe portierët e të dyja skuadrave, të cilët kanë pësuar gola vetëm në distancë milimetrike. Në pjesën e parë rasti më i pastër për shënim nga ana e Çelsit ishin tentativat e irlandezit Damien Daf dhe Didier Drogba. Ky i fundit nuk ka zhvilluar një nga ndeshjet e tij më të mira, por në minutat shtesë ka rezultuar tepër vendimtar. Edhe gjermani Ditmar Haman ka projektuar shumë mirë një gjuajtje kundër Çeh, por ai është treguar i vëmendshëm. Por, episodi që i ka kushtuar së tepërmi skuadrës së Benitez ka qenë autogoli i kapitenit Zherard. I gjendur nën presionin e londinezëve ai ka tentuar të largoj jashtë zone topin e harkuar nga Daf, por për fat të keq ka përfunduar në portën e mbrojtur të Jerzi Dudek. Polaku është mposhtur vetëm në minutën e 79 nga pakujdesia e kapitenit të skuadrës. Protagonist si gjithmonë ka qenë edhe Hoze Murinjon, i cili si pasojë e fjalëve të tepërta drejtuar gjyqtarit Benet ka braktisur pankinën e tij për t’i ndjekur minutat e mbetura të ndeshjes nga shkallët e stadiumit. Sidoqoftë me kaq u mbyll koha e rregullt, por më të frymëzuar për triumf në fushën e blertë dukeshin blutë e Londrës. Kështu, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba ka justifikuar më së miri presionin e vazhdueshëm të Çelsit, duke shënuar në minutën e 107 golin e avantazhit. Të kuqtë edhe pse janë freskuar nga futja në fushë e Barosh nuk kanë reaguar dot menjëherë sepse serbi Mateja Kezhman në minutën e 112, ka tronditur për herë të tretë portën e Dudek, tashmë të demoralizuar. Pas vetëm një minute reagimi i Liverpulit ka patur efektin e vet. Zherard ka shqelmuar një goditje dënimi dhe spanjolli Nunjez ka shkurtuar diferencën e golave. Por, për fatin e keq të skuadrës së kuqe vrulli i golave është ndalur pikërisht në atë moment ashtu si edhe kronometri i gjyqtarit Benet, i cili pa hezituar sinjalizoi përfundimin e finales. Në këtë mënyrë pas shumë emocioneve dhe pse jo nervozizmit të tepruar, fusha e Kardifit ka thënë fjalën e vet në favor të Çelsit. Londinezët kanë marrë me vete në shtëpinë e tyre trofeun prestigjoz të Kupës Karling, i cili mbi të gjitha ka ngritur në qiellin e shtatë, portugezin Hoze Murinjo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›