Moxhi: Tani jemi rikthyer!
28/02/2005 Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, është entuziast pas fitore ndaj Mesinës. “Mund të them se kemi kaluar një periudhë jo shumë të mirë, por tani jemi përsëri Juventusi i zakonshëm, i fortë dhe i saktë. Edhe ndaj Realit, skuadra tregoi se ishte në rrugën e duhur, por na mungoi goli, që do të na jepte kurajon e nevojshme. Tani duhet të fitojmë disa ndeshje rresht, përfshi edhe ndeshjen kundër Realit, për të rregulluar atë që kemi shkatërruar këto javët e fundit”, deklaron Moxhi, i cili flet edhe për merkaton e Juventusit, e cila po orientohet drejt lojtarëve pa kontratë: “Politika jonë e viteve të fundit nuk na ka ndaluar të forcojmë skuadrën. Kemi përdorur pak fantazi, si në rastin kur kemi shitur Zidan dhe kemi marrë lojtarë të tjerë. Ne synojmë që të përdorim vetëm lekët tona, jo të pronarëve dhe besoj se po ia dalim mbanë. Lojtarët e lirë na pëlqejnë, sepse kanë ambicie dhe uri”.