EHAD BERISHA, një talent shqiptar në Broduej
Ehad Berisha, quhet 14 vjeçari shqiptar, i cili me talentin e tij ka tërhequr së fundmi vëmendjen e aktorve të njohur të teatrit amerikan si Tim Blake Nelson, Richard Maue, Shorey Ualker, Valerie Redd, Judson Jones, Uilliam Franke, Benard Cummings, Matt Savings, Doug Sheppard dhe Helen Merino. Është një suprizë e këndshme për të gjithë shqiptarët shfaqja, e tij djaloshit të talentuar në rolin kryesor në “Theatre East”, në premierën “Eye of God” të Tim Blake Nelson (vënë në skenë nga Lisa Devine) në rolin e Tomit. Kritika e ka përcaktuar si një aktor të rrallë, dominues dhe të gati të përsosur në skenë. Të mos harrojmë se teatri i famshëm i Broduejt ka shërbyer para disa dekadash si trampolina e mjaft aktorëve të cilët sot janë yje të Hollivudit.
Po kush është 14 vjeçari Ehad Berisha? Ai vjen nga një familje e qytetit të Mamurasit, me origjinë nga Kosova. Kariera duket se ka nisur me ritme galopante për të riun shqiptar, i cili lidhjet e para me skenën i ka që para katër vitesh, ndërkohë që vitin e kaluar, Ehadi mori pjesë në një konkurs teatror në Los Anxhelos dhe fitoi jo pak por tre çmime; vendin e tretë për TV Commercials, vendin e tretë për monologun dhe vendin e dytë si aktori i vitit 2008. Pas kësaj, Ehad Berisha ka luajtur një nga rolet kryesore për Comedy – net në një shfaqje teatrale për fëmijë në Nju Jork. Për ta njohur më mirë talentin e ri shqiptar po botojmë në vijim një intervistë që Ehad Berisha ka dhënë për “Bota sot”, pas premierës së shfaqjes “Syri i Zotit” në teatrin “The East Theater”.
Ehad, ç’mund të na tregoni mbi familjen tuaj dhe emigrimin në Amerikë?
Në gusht të vitit 1997, familja ime emigroi në SHBA. Kam qenë dy vjeç ndërsa im vëlla (Asllani) ishte pesë vjeç. Prindërit, nëna Lavdia dhe babai, Milazim Berisha, janë lindur dhe kanë jetuar në Mamuras. Gjithashtu, edhe unë me vëllanë kemi lindur në Mamuras.
Pas ardhjes në SHBA, jetuam për katër vjet në një lagje shqiptarësh në Bruklin, kurse tani, prej tetë vitesh jetojmë në Manhatan, ku vazhdoj dhe vitin e parë në shkollën e mesme NYCI.
Çfarë të nxiti që të bëhesh aktor dhe si nisi kariera jote skenike?
U bënë katër vjet që e kam nisur këtë karierë. Isha vetëm 10 vjeç kur konkurova për herë të parë për aktrim.
A u përballe me vështirësi gjatë kësaj rruge dhe nëse po, si arrite t’i tejkalosh ato?
Po, jam përballur me vështirësi të ndryshme por kam pasur mbështetje te jashtëzakonshme nga prindërit e mi, të cilët sakrifikojnë gjithçka dhe nuk kursejnë asgjë për mua dhe talentin tim . Kjo më ka ndihmuar shumë, duke ma bërë edhe më të lehtë këtë rrugë, plot pasion.
Ke marrë pjesë edhe në disa produksione teatrale në Booker T. Uashington dhe Emily Dickinson School. Ke studiuar në John Robert Pouers, Nju Jork e përveç kësaj, je fitues i disa çmimeve për aktrimin. A mendon se një ditë do të bëhesh aktor i madh?
Pyetje e vështirë! Dëshira ime për t’u bërë një aktor i madh është një ëndërr; më duhet shumë punë për të mbërritur aty.
Ndërkaq, cili është rezultati i punës së madhe që ke bërë deri më sot?
Si rezultat i kësaj pune 4 vjeçare kam pasur fatin të konkuroj në Los Axhelos (IPOP 2008) ku dola me sukses dhe fitova 3 çmime. Fitova vendin e tretë për TV Commercials, vendin e tretë për monologun dhe vendin e dytë si aktori i vitit 2008. Pastaj, kam luajtur në një nga rolet kryesore për Comedy- net, në një shfaqje teatrale për fëmijë këtu në Nju Jork. Gjithashtu, në korrik të këtij viti kam punuar me një këngëtar kanadez, për të përgatitur një videoklip, që shpresoj se do të ketë sukses pasi nuk është thjesht një këngë por një mesazh për të gjithë fëmijët e botës. Por, suksesi më i madh mbetet paraqitja me “Theater East”, ku kam pasur privilegjin të punoj me aktorë të njohur të skenës. Si rezultat i kësaj pune të madhe, momentalisht jemi duke luajtur pjesën “Eye Of God” (Syri i Zotit) në Nju Jork. Ndihem shumë i lumtur që pata fatin të interpretoj në një nga rolet protagoniste në këtë premierë tipike njujorkeze të Tim Blake Nelson, aktor i njohur, producent dhe autor i disa filmave dhe dramave të teatrit amerikan.
Cilët janë idhujt e tu, sa i takon artit skenik?
Idhujt e mi janë shumë por do të veçoja Hugh Lanrie, Adam Sandler dhe Ben Stiller.
Je vetëm 14 vjeç. Çfarë të është dashur të bësh për të pasur këtë sukses të madh si aktor teatri?
Për të nisur një karierë në moshë të re në radhë të parë më është dashur guxim, besim në vetvete, përkushtim dhe një punë shumë e madhe në skenë.
Teatri, është gjithçka që ëndërroni për momentin?
Ëndrra ime është pa dyshim që të jem i suksesshëm si aktor, por kam dëshirë në të njëjtën kohë, të mbaroj shkollën e mjekësisë.
Çfarë do të thotë për ty që të jesh aktor shqiptar, 14 vjeç dhe të luash një role protagoniste në Broduej, ku kanë hedhur hapat e parë aktorët e mëdhenjë amerikanë?
Më shumë përgjegjesi dhe më shumë kërkesë ndaj vetes për të treguar se jemi me të vërtet një popull i traditës, nga më të qytetëruarit e Ballkanit dhe të Europës. Teatri shqiptar, sipas zbulimeve arkelogjike, zë një vend të veçantë në historinë e Ballkanit, qysh në kohën e Ilirëve. Do të thoja se jam shumë i lumtur që kam fatin të luaj në skenat e teatrit njujorkez, por gjithashtu, ndihem krenar që jam shqiptar. Të gjithë kolegët e mi e dinë që jam shqiptar.
Ke qenë ndonjë herë në Shqipëri ose në Kosovë?
Jo, nuk kam qenë as në Shqipëri dhe as në Kosovë, megjithëse me prindërit, të afërmit, miqtë e shokët, bëjmë një jetë si në Shqipëri. Kemi krijuar një “Shqipëri të vogël” së bashku me komunitetin tonë në Nju Jork. Sidoqoftë, besoj se së shpejti do ta vizitoj Shqipërinë dhe Kosovën. Kanë qenë disa nga obligimet e mia në shkollë, teatër etj., që nuk ma kanë dhënë mundësinë ta bëj këtë deri më tash. Pres me padurim që të vija vera tjetër dhe të vizitoj Shqipërinë dhe Kosovën.
Çfarë vlerësoni më shumë te shqiptarët në Amerikë?
Shqiptarët në Amerikë janë shumë të respektuar, kudo. Kur thua se je shqiptar, shikon një respekt të madh nga të tjerët, sidomos nga amerikanët, të cilët pas ngjarjeve në Kosovë i kanë shtuar njohuritë dhe dinë më shumë për ne shqiptarët dhe historinë tonë. Kjo më jep një kënaqesi të madhe shpirtërore, me jep forcë për të punuar sa më shumë, për të arritur suksese.
Së fundi, cilat janë disa nga planet e tua për të ardhmen?
Do të vazhdoj me teatrin, por në të njëjtën kohë do të punoj me Tim Blake Nelson, pasi ai ka një projekt për një film që besoj se do të realizohet vitin që vjen.
FESTIVALI
Giffoni Shqipëria mbërrin në Tiranë
Pas një turi në qytetet kryesore, “Giffoni Shqipëria” mbërrin në Tiranë. Në një konferencë të djeshme për shtyp, mbajtur në hotel “Sheraton”, organizatorët kanë bërë një bilanc të këtij festivali në pesë vjet të zhvillimit të tij. Për tre ditë, “Giffoni Shqipëria” do të shfaqë në kinema Millenium filma me metrazh të gjatë e të shkurtër, për kategoritë e moshave 12-25 vjeç dhe 15-19 vjeç. Çmimet do të ndahen mbrëmjen e 28 tetorit, ora 18:30 në një ceremoni të madhe në Teatrin e Operës dhe Baletit. Më poshtë keni fjalën e secilit prej të pranishmëve në konferencë. Po dje, organizatort janë pritur në mesditë nga kryeministri Berisha, i cili e ka vlerësuar këtë festival integrues për fëmijët si një eveniment të rëndësishëm ndërkombëtar që tashmë gjallëron edhe jetën artistike-kulturore shqiptare.
ENCIKLOPEDIA
Këtë javë mblidhen akademikët maqedonas
Gjatë kësaj jave pritet të mbahet vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), ku do të miratohet vendimi përfundimtar lidhur me shkarkimin ose jo të redaksisë së “Enciklopedisë Maqedonase” me në krye kryeredaktorin Bllazhe Ristovski dhe në anën tjetër tërheqja e kësaj vepre. Akademikët shqiptarë kanë theksuar se janë njoftuar se gjatë kësaj jave, konkretisht, të mërkurën do të mbahet vazhdimi i seancës së Kuvendit. “Jemi të njoftuar që gjatë kësaj jave të mbahet kuvendi i ASHAM, ku përfundimisht do të shohim se çfarë konkluzione do të dalin. Ne mbetemi pas qëndrimeve tona që të shkarkohet këshilli redaktues i enciklopedisë dhe të zgjidhet redaksi e re, e cila do të përpilojë enciklopedi të re, pa kontestuar dhe pa dëmtuar asnjë palë”, ka theksuar akademik Ali Aliu, anëtar i jashtëm i ASHAM, duke paralajmëruar qëndrime konkrete pasi që të dihen konkluzat e Kuvendit. Në seancën e parë të kuvendit të ASHAM, shumica e akademikëve maqedonas kanë kundërshtuar tërheqjen e Enciklopedisë, por nga ana tjetër nuk është kundërshtuar edhe ekipi redaktues.
27 Tetor 2009