Hagë, Karaxhiç bojkoton seancën e gjyqit, shtyhet procesi
Blerina Olldashi
Procesi për gjenocid kundër ish-shefit politik të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, që filloi dje në mungesë të tij në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, do të zhvillohet ditën e sotme. Gjykatësi koreanojugor O-Gon Keon bëri të ditur se gjykata vendosi të shtyjë procedurat, pasi konstatoi mungesën e të akuzuarit dhe të një avokati për ta përfaqësuar atë. Procesi do të rifillojë sot në orën 14:15 (13:15 GMT) me paraqitjen nga prokurori Alan Tieger të akuzave të ngritura kundër të akuzuarit. “I kërkojmë Karaxhiçit të jetë i pranishëm që të mos bllokohet procesi i tij”,- shtoi gjykatësi.
Radovan Karaxhiç, i cili mbrohet vetë, ka njoftuar të mërkurën në TPI se nuk do të jetë gati për mbrojtjen dhe si rrjedhim do të bojkotojë hapjen e procesit të tij, i parashikuar të zgjasë dy vjet.
Kërkesa
Ai ka kërkuar, pa rezultat, në shtator 10 muaj shtesë për përgatitjen e mbrojtjes. Dje ishte parashikuar të niste gjyqi për krime lufte kundër ish-udhëheqësit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç, por pa pjesëmarrjen e të pandehurit. Karaxhiç kishte deklaruar ditë më parë se nuk do të merrte pjesë në hapjen e gjyqit të tij duke këmbëngulur se ka nevojë për më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen. Por kryeprokurori i gjykatës Serzh Bramerc thotë se pas 15 muajve në burg, dhe me ndihmën e ekipit të tij të këshilltarëve ligjorë, Karaxhiç duhet të ishte i gatshëm për gjykimin.
Akuzat
Karaxhiç përballet me 11 akuza përfshirë gjenocid dhe orkestrimin e masakrës së Srebrenicës në vitin 1995 ku u vranë tetë mijë burra dhe djem myslimanë. Karaxhiç ka zgjedhur të vetmbrohet dhe pretendon se ka rreth një milion faqe për të shqyrtuar. Megjithatë, kjo gjë nuk pritet t’i pengojë prokurorët të fillojnë çështjen e tyre më të rëndësishme që nga çështja e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Ai vdiq në burg para tre vjetësh para se të shpallej aktgjykimi kundër tij. Karaxhiç ish-politikani 64-vjeçar, psikiatër dhe poet akuzohet për dy vepra gjenocidi, një për masakrën e Srebrenicës, dhe e dyta për spastrimin etnik të myslimanëve dhe kroatëve nga disa pjesë të Bosnjës. Karaxhiç akuzohet edhe për persekutim, zhdukje dhe vrasje si dhe kapjen e paqeruajtësve të OKB-së peng, si dhe për shtetrrethimin 44-mujor të Sarajevës.
Supozimet
Menjëherë pas bojkotimit të seancës gjyqësore nga Karaxhiç, kanë reaguar të shqetësuara anëtaret e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, të cilat mendojnë se krimineli i luftës nuk do të marrë dënimin që meriton. “Gjykatësit duhet ta detyronin atë kriminel të paraqitej në sallë, sepse duke shtyrë seancën futen në lojën e tij dhe vazhdojnë të shkelin mbi të drejtën tonë për të gjetur drejtësi”,- deklaroi njëra nga gratë pasi doli nga salla e gjyqit, ku gjykatësit shtynë seancën kundër ish-shefit politik të serbëve të Bosnjës, i cili akuzohet për masakrën më të rëndë në Europën e pasluftës. “Jemi të tronditura, do të qëndrojmë edhe një ditë më tepër, por nuk kemi para për të qëndruar më shumë. Gjykatësit duhet të garantojnë se do të bëjnë maksimumin për të vendosur drejtësi, kjo është shpresa jonë e fundit”,- deklaroi një nga gratë.
Mal i Zi
Së shpejti, një pikë të re kufitare me Kosovën
Mali i Zi së shpejti do të hapë një vendkalim të ri kufitar me Kosovën. Mediat malazeze të cituara nga ato kosovare bëjnë të ditur se kalimi i përbashkët mund të hapet në Çakorr, në rrugën Murino-Pejë diku mes Malit të Zi dhe Kosovës. Ndonëse punimet ishin parashikuar të fillonin në këtë vit, ato janë shtyrë për vitin e ardhshëm për shkak se në Çakorr bora tashmë është ka arritur nivelin e një gjysmë metri. Kryetari i komunës së Plavës Skënder Sharkinoviç, hapjen e kësaj pike kufitare e ka vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme, duke thënë se “riaktivizimi i rrugës Murino-Çakorr-Pejë do të sillte perspektivë edhe më të mirë dhe rritje të resurseve ekonomike.
Tunizi
Presidenti aktual merr mandatin e pestë
Rezultatet zyrtare nga zgjedhjet presidenciale në Tunizi tregojnë se presidenti aktual, Zine El Abidine Ben Ali, ka fituar mandatin e tij të pestë me më pak se 90 për qind të votave. Ben Ali, i cili para zgjedhjeve hodhi poshtë pretendimet se ato nuk do të ishin të lira dhe të ndershme, gjithashtu ka fituar edhe shumicën e vendeve në Dhomën e Deputetëve. Presidenti ka qenë në pushtet për më shumë se 23 vjet dhe thotë se surpriza e vetme në rezultat është se për herë të parë ai ka marrë më pak se 90 për qind të votës. Asnjë nga sfidantët nuk ka arritur të marrë ndonjë përkrahje të dukshme.
Afganistan
Karzai, Abdullah: E ardhmja e vendit, në kutitë e votimit
Presidenti i Afganistanit dhe rivali i tij kryesor në zgjedhje thanë se e ardhmja politike e vendit duhet të vendoset në kutitë e votimit, jo përmes formimit të koalicioneve qeveritare. Rivali kryesor i presidentit Hamid Karzai vazhdon të shprehë shqetësime mbi manipulimet e zgjedhjeve që kanë përfshirë raundin e parë të zgjedhjeve në vend të mbajtur në muajin gusht. Personeli i fushatës elektorale të presidentit Karzai tha se një raund i dytë i zgjedhjeve është i pashmangshëm dhe e vetmja mënyrë kushtetuese për të krijuar një qeveri të re. Ish-ministri i jashtëm Abdullah Abdullah gjithashtu e hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit mes të tij dhe zotit Karzai.
27 Tetor 2009