E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kap në Rinas 43 mundës nga Irani pa viza, i kthen mbrapsht

SHKRUAN: Habjon Hasani 14-10-2011 13:22

Tiranë Një ekip i tërë me 43 mundës iranianë, që ishte nisur për të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Federata e Mundjes në Shqipëri, është kthyer mbrapsht pasi autoritetet shqiptare në Rinas i kanë konstatuar pa viza. Mundësit iranianë kanë mbërritur mëngjesin e së mërkurës në Tiranë me linjën ajrore “Turkish Airlines”, pasi kishin ndjekur trajektoren Teheran-Stamboll-Tiranë. Pasi kanë zbritur në Rinas, 43 mundësit kanë paraqitur vetëm pasaportat e tyre pa viza dhe ftesën nga Federata Shqiptare e Mundjes, por mungesa e vizave ka bërë që autoritetet shqiptare ta konsideronin udhëtimin të paligjshëm, edhe pse ftesa nga Federata për 43 iranianët u konfirmua brenda pak kohësh. Megjithatë, forcat e kontrollit dhe sigurisë në aeroportin e Rinasit kanë njoftuar 43 mundësit iranianë se në mungesë të vizave, vizita konsiderohej e paligjshme dhe se duhet të ktheheshin nga vendi ku erdhën, në bazë të rregullave ndërkombëtare. Madje, autoritetet e aeroportit të Rinasit kanë reaguar dhe ndaj kompanisë ajrore që i ka sjellë ata në Tiranë, e cila ka pranuar të transportojë pa viza mundësit iranianë. Gjoba e parashikuar për kompaninë ajrore, me të cilën mësohet të kenë udhëtuar shtetasit iranianë pa viza, është 13 milionë lekë të reja. Kompania “Turkish-Airlines”, sipas burimeve zyrtare të policisë u gjobit për arsye se ka mundësuar udhëtimin pa viza të 43 shtetasve iranianë nga shteti i Iranit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Një zyrtar i komisariatit të policisë së Rinasit i tha dje “MAPO”-s se mungesa e vizave e bënte flagrant dhe të paligjshëm udhëtimin e mundësve iranianë, pavarësisht ftesës zyrtare që kishte nisur Federata Shqiptare e Mundjes për homologët iranianë. “Janë 43 mundës të kategorive të ndryshme, që erdhën me kompaninë “Turkish Airlines”. Gjatë kontrollit të tyre, asnjëri nuk kishte viza. Nga informacionet që ne kemi marrë, mundësit kanë aplikuar për viza në Ambasadën Shqiptare në Teheran, por ambasada i kishte në proces aplikimet e tyre dhe ata janë nisur pa viza. Kjo e ka bërë të pamundur hyrjen dhe qëndrimin e tyre në shtetin shqiptar. Kjo është arsyeja e vetme e kthimit të tyre dhe nuk lidhet me asnjë arsye tjetër. Kjo gjë është e verifikueshme”, -tha dje një zyrtar i komisariatit të policisë së Rinasit. Në datat 14-16 tetor, në Shqipëri mbahet kampionati botëror i mundjes për veteranët, ndërkohë mësohet se 43 iranianët do merrnin pjesë në këtë event sportiv. Kreu i Federatës së Mundjes, Martin Biba ka konfirmuar pjesëmarrjen në aktivitetin sportiv të mundjes së sportistëve iranianë. Biba deklaroi dje se Federata priste ardhjen e 43 sportistëve iranianë, ndërkohë theksoi se aktiviteti do të zhvillohet normalisht, pavarësisht kthimit mbrapsht nga policia të 43 iranianëve.

“Mundësit iranianë ishin të ftuar nga Federata”

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka dhënë dje shpjegime në lidhje me ndalimin e sportistëve iranianë. Kjo ministri nënvizon se Irani, në aktivitetin e mundjes për veteranët, që do të mbahej në datat 14-16 tetor në Shqipëri, kishte numrin më të madh të pjesëmarrësve, ndërkohë që jep shifrën prej 49 sportistësh që do merrnin pjesë në këtë aktivitet. “Në Tiranë do zhvillohet kampionati i mundjes. Irani ka numrin më të madh të mundësve. Ekipi iranian kishte 49 sportistë”, - thuhet në sqarimin e Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas deportimit të shtetasve iranianë në vendin nga i cili ishin nisur për të mbërritur në Shqipëri, pranë autoriteteve shqiptare janë interesuar dhe përfaqësues të ambasadës iraniane në Tiranë , ndërsa këtyre të fundit u janë bërë të ditura arsyet e kthimit për në Turqi të 43 mundësve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›