E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunohen e grabiten katër turistë çekë në malet e Dibrës

DIBËR- Alarmohet ambasada çeke në Tiranë dhe policia e shtetit, pasi paraditen e djeshme janë dhunuar e grabitur dy turistë çekë në malet e Dibrës. Ngjarja është mbajtur sekret nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër deri në orët e mbrëmjes, mirëpo telefonata që dy turistët kanë bërë në ambasadën e vendit të tyre ka vënë në lëvizje forca e mjete të shumta policia. Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, ato të komisariatit të Dibrës si dhe një helikopter kanë nisur patrullimin e zonës, ku dy turistët thanë se ishin dhunuar e grabitur nga dy adoleshentë që mendohet të jenë barinj të zonës së Kalasë së Dodës.

Grabitja

Burime pranë policisë së Qarkut Dibër sqarojnë se ngjarja ka qenë spontane dhe se katër turistët çekë janë gjendur befas në mal përballë dy barinjve. Dy prej tyre kanë udhëtuar më ngadalë, ndërkaq dy të parët kanë rënë në pritën e dy-tre të rinjve, të cilët fillimisht i kanë kërcënuar dhe më pastaj i kanë grabitur. “Na kanë sulmuar me shkopinj dhe jemi përpjekur t’u ikim agresorëve. Pas disa metrash, dy nga të rinjtë na kanë zënë dhe na kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Nuk kishim mundësi të vraponin më shumë dhe u detyruam të largohemi, duke lënë çantat që kishim me vete” - janë shprehur dy turistët para efektivave të policisë, që kanë mbërritur në Kala të Dodës pak orë pas njoftimit nga Ministria e Brendshme, e cila ka nisur me urgjencë një helikopter për të ndjekur agresorët e turistëve të huaj. Dy nga turistët kanë arritur të largohen më shpejt dhe nuk janë dhunuar, ndërkaq dy të tjetër kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të dhunës së ushtruar mbi ta.

Prononcimi

Kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, tha se dje rreth orës 17.30 ka kontaktuar me dy turistët e huaj dhe sipas tij ata nuk kanë probleme serioze. “Nga të dhënat që unë kam, janë dy djem të rinj, 14-15 vjeç që kanë dhunuar dhe grabitur dy turistët çekë. Ata, sipas banorëve të zonës, janë çobanë që verojnë çdo vit në bjeshkë. I kanë kërcënuar dhe goditur me shkopinjtë që mbajnë më vete. Dy turistët kanë mbetur të shastisur dhe të tmerruar nga egërsia e dy të rinjve dhe janë detyruar të ikin me vrap, duke lënë pas dy çantat që kishin me vete. Nuk jemi të qartë çfarë ata kanë patur në çantat e krahut që mbanin me vete. Sipas policisë në çanta nuk ka patur sende me vlerë, por ngjarja sipas nesh është e rëndë dhe duhet ndëshkuar. Ardhja e helikopterit dhe forcave të shumta të policisë do të arrijë me siguri kapjen e autorëve, deklaroi kryekomunari, që ndjen keqardhje për ngjarjen e ndodhur në njësinë ku ai drejton. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›