Atentati me eksploziv, kërcënim për ish-punonjësin e policisë
Tiranë- Objektivi i atentatit me eksploziv, ndodhur dy ditë më parë, dyshohet se ka qenë ish-punonjësi i policisë, Altin Bega, i cili ka mbetur i plagosur lehtë nga shpërthimi në automjetin që drejtohej prej tij. Ish-oficeri i policisë pranë komisariatit nr. 3 ishte larguar nga radhët e policisë pak kohë më parë, por dyshohet se atentati i mbrëmjes së të hënës mund të ketë lidhje me punën e tij. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se 38-vjeçari Bega është larguar nga radhët e policisë si pasojë e reformës, ndërsa emri i tij përmendet në vitin 2005 në një raport të Departamentit të Shtetit. Pikërisht në këtë raport thuhet se oficeri i policisë, Altin Bega, është paditur për ushtrim dhune nga një i ndaluar, i cili ishte nën hetim nga policia. Pas këtij rasti, 38-vjeçari ka vazhduar të jetë pjesë e radhëve të Policisë së Shtetit, derisa vendi i tij i punës është shkurtuar si pasojë e riorganizimit të strukturës së policisë. Puna si oficer policie në komisariatin nr. 3, sipas policisë, është një nga pistat ku po heton aktualisht grupi i specialistëve të ngarkuar për zbardhjen e ngjarjes, e cila është klasifikuar si “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë. Vetëm një ditë pas atentatit me eksploziv, grupi hetimor ka mundur të zbardhë edhe skemën që autorët e dyshuar kanë përdorur me qëllim eliminimin fizik të 38-vjeçarit, i cili prej disa kohësh punonte për llogari të një biznesmeni të njohur në fushën e ndërtimeve. Zyrtarisht, policia e kryeqytetit tha se ngjarja ku mbeti i plagosur lehtë 38-vjeçari Altin Bega ka ndodhur rreth orës 20.40 të mbrëmjes, pranë Gardës së Republikës, në parkingun e një lokali ku ka qenë i parkuar automjeti që përdorej nga ish-polici. Atentatorët kanë montuar një sasi ende të pa përcaktuar eksplozivi pranë derës së shoferit të automjetit tip “Audi Q -7”, me targa amerikane 197 WEY. Sapo drejtuesi i saj 38-vjeçari Bega ka tentuar të hipë në automjet, ka ndodhur edhe shpërthimi i eksplozivit, i cili është aktivizuar nga hapja e derës së parë të makinës. Si pasojë e shpërthimit, ish-punonjësi i policisë ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. “Nga djegia dhe shpërthimi i automjetit tip Audi Q -7 me targa 197 WEY, është plagosur lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën 38-vjeçari Altin Bega, i cili gjatë momenteve të plasjes ka qenë duke hipur në automjet”- tha zyrtarisht policia. Sipas burimeve, mësohet se automjeti i drejtuar nga Bega rezulton të jetë në pronësi të biznesmenit Genti Sauku, i cili nuk ndodhej në Tiranë që prej disa ditësh. Ky fakt, sipas policisë, mund të jetë shfrytëzuar nga atentatorët, të cilët kanë vendosur eksplozivin në makinën që drejtohej nga ish-polici. Këto të dhëna, sipas policisë, hedhin dyshime se objektiv i atentatit me eksploziv ka qenë 38-vjeçari nga Skrapari, i cili pas largimit nga radhët e policisë kishte nisur të punonte si shoqërues i biznesmenit të ndërtimit.