E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i hajdutëve vrau policin Likaj, gjyshja “tradhtoi” autorin

SHKRUAN: Habjon Hasani 30-03-2011 20:00

Tiranë- Janë nisur për në Vlorë, si tre hajdutë profesionistë, për t’u kthyer tri ditë më vonë si vrasës të një polici. Pesë muaj pas vrasjes në krye të detyrës së policit, Roland Lika, Policia e Shtetit ka zbardhur krimin, duke akuzuar tre të rinj me të shkuar të pasur kriminale, si autorë të ngjarjes. Jetnor Nakoleci 25 vjeç, Saleo Stojani 18 vjeç dhe një minoren me inicialet E.Z., akuzohen se kanë vrarë policin vlonjat, baba i dy fëmijëve, gjatë përpjekjes së këtij të fundit për të parandaluar goditjen e tyre të radhës. Që të tre hajdutët, mes të cilëve Saleo Stojani, i skeduar me qindra herë nga policia, kanë mbërritur në qytetin e Vlorës më datën 16 tetor 2010. Kishin parashikuar një qëndrim disa ditor, ku sigurisht objektivi ka qenë vetëm një: grabitja në orët e vona. Si vendstrehim kanë zgjedhur një vend, ku pakkush mund t’i vinte re, shtëpinë e gjyshes së 25- vjeçarit Jetnor Nakoleci. Rreth orës 2 të mëngjesit të datës 18 tetor, tre të rinjtë kanë dalë të organizuar për të kryer një vjedhje në lagjen Çole të Vlorës. Në një rrugicë të kësaj lagjeje, polici 45-vjeçar, Roland Likaj ka qenë në punë, turni i tretë, duke patrulluar me automjetin e tij privat. Ai ka dalluar lëvizjet e çuditshme të të rinjve dhe i është afruar me kujdes, vendit ku ata ndodheshin. Në këtë moment, të rinjtë janë fshehur në cepat e rrugicave, ndërsa Likaj ka parkuar anës rrugës, ku ka kryer një telefonatë me kolegët e tij dhe ka kërkuar përforcime, duke raportuar një situatë të dyshimtë. Duket se afrimi i automjetit të Likajt, si dhe ndalimi i tij në një vend ku mund të mbikëqyrte më mirë lëvizjet e tre të rinjve, ka shkaktuar panik tek këta të fundit. Sipas hetimeve të kryera, Jetnor Nakoleci, 25-vjeçari i cili e njihte më mirë se dy shokët e tij zonën, ka lëvizur nëpër lagje dhe i ka dalë nga pas automjetit të Likajt. Ai akuzohet se është personi që ka qëlluar nga 1 metër distancë policin Likaj, me një pistoletë të tipit “Glock”, të cilën e kishte me vete. Por vrasja ishte një detaj i paparashikuar nga tre shokët, hajdutë profesionistë dhe kjo ka sjellë pasoja në reagimet e tyre. Ata janë nisur me shpejtësi në drejtim të shtëpisë së gjyshes së Nakolecit dhe kanë diskutuar me zë të lartë nëpër shtëpi ngjarjen, çka ka nxitur dyshimet e gjyshes. “Nga puna operative në terren, policia ka mësuar se tre të rinjtë ndodheshin në Vlorë ditën e vrasjes së Roland Likës dhe nga puna e agjentëve, por dhe ndihma e bashkëpunimi i komunitetit, kemi mësuar se gjyshja e Nakolecit kishte folur në rrethe të ngushta familjare, për atë që kishte ndodhur në shtëpi, natën e vrasjes”, - shprehen burime nga Policia e Vlorës, duke treguar dhe trajektoren e zbulimit të kësaj ngjarjeje. Porsa kanë shkuar në shtëpinë e gjyshes së Nakolecit, tre të rinjtë kanë hequr menjëherë rrobat që kishin në trup, duke veshur të tjera dhe që në mëngjes herët janë nisur secili më vete në drejtim të Tiranës. Hetimet e mëtejshme të policisë dhe Prokurorisë së Vlorës kanë zbuluar se dijenia e gjyshes për ngjarjen e 18 tetorit pas disa ditësh, ka dhënë efekte dhe në familjen e tij në Korçë. Gjyshja ka vënë në dijeni prindërit e nipit të saj, ndërsa këta të fundit kanë “zbërthyer” të birin të tregonte të vërtetën para tyre. Paralelisht, policia ka marrë informacione për dijeninë e gjyshes dhe në një hark të shkurtër kohor ka mundur të sigurojë dëshmitë e familjarëve të Jetnor Nakolecit dhe më pas të vetë ekzekutorit të policit, i cili ka pranuar gjithçka. Pas tij, krimin e kanë pranuar edhe Saleo Stojani, i cili ndodhej në qeli për një mori vjedhjesh dhe 17-vjeçari E.Z.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›